Protesta e fermerëve grekë, bllokohet për 5 orë aksi Kakavijë–Janinë

Policia Kufitare Kakavijë, ka njoftuar se autoritetet greke kanë informuar, përmes qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit, se sot nga ora 16:00 deri në 21:00 (me orën greke) aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në zonën e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar.

Shkak për mbylljen e qarkullimit është protesta që fermerët grekë do të zhvillojnë në këtë segment rrugor.

Gjatë orëve të bllokimit do të lejohen të kalojnë vetëm automjetet që paraqesin emergjenca shëndetësore, ndërsa për të gjitha mjetet e tjera trafiku do të jetë i ndaluar.

Policia Kufitare Kakavijë, kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe u rekomandon të planifikojnë udhëtimet drejt ose nga Greqia në orare të tjera të ditës, për të shmangur vonesat dhe situatat problematike.