SPAK ka mbyllur hetimet për dosjen e vrasjes së Fatbardh Licit dhe e ka dërguar në GJKKO. Të pandehurit për të cilët SPAK kërkon nisjen e gjykimit janë Safet Bajri, Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Eria Ago. Fatbardh Lici, i vrarë rreth 7 vite më parë, dyshohet se është viktimë e përplasjes së vazhdueshme mes fiseve Lici dhe Bajri në Shkodër.
Safet Bajri ka qenë më herët i ndaluar nga autoritetet e drejtësisë, gjatë operacionit “Oaz” të zhvilluar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, por më pas është liruar. Ai ka qenë i dënuar edhe në Belgjikë, ndërsa gjatë javëve të fundit banesa e tij në Dobraç është kontrolluar disa herë me urdhër të SPAK, në kuadër të disa procedimeve penale.
Përplasja e fiseve Bajri-Liçi?
Përplasjeve mes fiseve Bajri dhe Lici dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla.
Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira u ekzekutuan çifti Boran Bërçana dhe Silva Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri dhe dyshohej si i përfshirë në atentatin ndaj Lul Kullës në janarin e 2018-ës. Vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër.
Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustafa Lici. Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri pas vrasjes së ish-policit Bërcana.
Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, dhe ende sot nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici. Më pas vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej me kalin e tij në zonën e Livadheve, më 1 shtator të vitit të 2018. Arjan Ferracaku, pak minuta para se të vritej, kishte komunikuar me Astrit Bilalin dhe ky i fundit e kishte thirrur që të dalë me kalë.
Më 14 nëntor vritet Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Fatos Ferracaku u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”.
Më 20 mars ndodh një tjetër vrasje, teksa ekzekutohet me 20 plumba Ferdinand Polia, por që është një vrasje që është zbardhur nga Policia dhe nuk ekziston asnjë lidhje me përplasjet e grupeve Bajri-Lici, por me disa ngjarje të ndodhura në Itali, ku viktima ka qenë pjesë e një grupi kriminal atje, 9 vite më parë. Më pas saga e vrasjeve vijoi me vrasjen e Endri Mustafës dhe autor dyshohet se është sërish Ibrahim Lici.
Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i cili sipas policisë është autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër. Po ashtu ai dyshohet si autor i Endri Mustafës.
Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij me 30 mars 2019, është babai i Astmer Bilali, ish kampionit boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër. Ndërkohë viktima Endri Mustafa ka qenë shok me Astmer Bilalin, ndërsa emrat e tyre dalin bashkë në disa ngjarje kriminale.
Më 18 qershor, u vra në servisin e tij teksa po riparonte brava makinash shtetasi Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor, ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke gjetur vdekjen në vend.
Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt 2025. Bashkë me masën “arrest me burg” GJKKO ka miratuar me kërkesë të SPAK edhe për kryerjen e një analize të ADN-së së Safet Bajrit. Sipas raportimeve, ditën që u soll nga Shkodra në policinë e Tiranës e pranishme ka qenë edhe ekspertja që do të merrte kampionet për ADN, por nuk është lejuar në atë moment nga i arrestuari, i cili ka kërkuar të bëhet në një ditë tjetër.
Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, pas ekzekutimit të masave të arrestit ndaj tire thuhej se ndaj Safet dhe Behar Bajrit dhe Asmer Bilalit rëndojnë akuzat për “Vrasje me paramendim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizatat dhe grupet kriminale të strukturuara”.
Të tre në lidhje me njëri-tjetrin akuzohen se kanë dhe kryerjen e vrasjes së Fatbardh Licit. SPAK ka bërë me dije se ka zgjedhur prova për të zbardhur ekzekutimin e Licit. Në njoftimin e prokurorisë thuhej gjithashtu se motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me faktin që Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të ushtrisë së shtetit, Boran Bërçana. Ky i fundit u ekzekutua bashkë me bashkëjetuesen e tij, Silva Ndocin, në mjetin e tyre.
