Bardhi takim me VanHorn: SHBA, aleat i çmuar për Shqipërinë, lufta reale ndaj krimit dhe korrupsionit na çon përpara si vend partner i denjë

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka ndarë momente nga takimi me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-së, Nancy VanHorn.

Bardhi e cilësoi SHBA-në si një aleat të çmuar për Shqipërinë. Ai bëri të ditur se gjatë bisedës me diplomaten amerikane, u diskutua mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si edhe mbi atë që ai e përshkruan si “regres shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike”.

Sipas Bardhit, “e vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë si një vend i zhvilluar dhe partner i denjë i SHBA është lufta reale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila duhet të udhëhiqet nga një qeveri që del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Reagimi i Gazment Bardhit:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar i Shqipërisë dhe ne jemi me fat që i kemi patur gjithmonë në krah, në çdo etapë të ekzistencës së shtetit shqiptar.

Sot, gjatë takimit me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA, znj. Nancy VanHorn, ndava qëndrimin tonë mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe regresin shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike.

Për fat të keq, gjatë këtyre 12 viteve, Shqipëria është drejtuar nga një qeveri partnere e krimit të organizuar dhe e karteleve të drogës. Kjo qeveri qëndron në pushtet përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

E vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë si një vend i zhvilluar dhe si partner i denjë i SHBA është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.


Shtuar 25.11.2025 14:12