Samiti/ Rama mban fjalën hapëse: Rruga jonë drejt BE, për liritë dhe mundësitë, realitet nga viti i ardhshëm

Këtë të premte, kryeministri Edi Rama, mbajti fjalimin e tij hapës në samitin “Growth Plan, Our Pathway to EU”, ku theksoi se plani i ri i rritjes për Ballkanin Perëndimor, nuk është thjesht një itinerar drejt Brukselit, por një udhërrëfyes drejt lirive dhe mundësive të tregut evropian, të cilit, siç tha ai, qytetarët e rajonit i përkasin historikisht.

Rama u ndal te dështimet e së kaluarës për bashkëpunim rajonal, duke theksuar se rajoni ka humbur shumë mundësi teksa ka mbetur peng i konflikteve të vjetra:

“Më mirë vonë se kurrë, mund të thotë dikush, pas gjithë atyre shanseve të humbura kur trenat e bashkëpunimit u nisën dhe ne mbetëm në platformë. Duhet të shkojmë drejt të ardhmes, jo të mbetemi te mosmarrëveshjet e së kaluarës”.

Ai theksoi se Evropa është ndërtuar përmes veprimit dhe jo pritjes, dhe se ky samit shënon pikërisht momentin për të ecur përpara:

“Nuk jemi këtu për të shtyrë punët, por për të ndërtuar së bashku atë që kërkohet të bëjmë sot”.

Rama theksoi gjithashtu se qytetarët shpesh nuk e ndiejnë drejtpërdrejt procesin e integrimit, por përfitojnë përmes uljes së kostove, lirisë së lëvizjes dhe shërbimeve më të shpejta.

Një shembull konkret, sipas tij, është heqja e tarifave të roaming-ut me Bashkimin Evropian:

“Vitin e ardhshëm tarifat e roaming-ut me BE do të hiqen. Ky është një tjetër kufi artificial që bie mes nesh dhe Evropës”.

Në fokus ishte edhe transformimi digjital i rajonit. Kryeministri njoftoi se Ballkani është në prag të një epoke të re me identitetin digjital të unifikuar, ndërsa për Shqipërinë ky hap do të bëhet realitet shumë shpejt: “Revolucioni digjital dhe identiteti digjital në Ballkan do të pasqyrojnë standardet evropiane. Jam krenar t’ju them se nga viti i ri identiteti digjital në Shqipëri bëhet realitet”.


Shtuar 21.11.2025 10:12