Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se paketa fiskale për vitin 2026 nuk parashikon rritje të taksave apo ndryshime në normat tatimore.
Shefja e Misionit të FMN në Shqipëri, Anke Weber shprehu sot rëndësinë e një sistemi tatimor të drejtë dhe të barabartë në vend.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me shefen e Misionit të FMN në Shqipëri, Anke Weber dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mbi analizën e ecurisë së ekonomisë dhe financave shqiptare si dhe prezantimin e rekomandimeve të FMN-së, ministri Malaj theksoi se Ministria e Financave po punon për një rishikim gjithëpërfshirës të kuadrit fiskal, në përputhje me proceset integruese të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
I pyetur nëse do të reflektohen nga Ministria e Financave ndryshime në formën e paketës fiskale në TVSH, tatimfitim apo tatimin mbi të ardhurat personale, Sejko tha se, paketa fiskale për vitin 2026 nuk parashikon rritje të taksave apo ndryshim të normave tatimore.
“Në lidhje me proceset integruese që është duke ndërmarrë qeveria shqiptare e kemi shprehur dhe më përpara që Ministria e Financave është duke rishikuar të gjithë kuadrin fiskal, në mënyrë që ta përputhë këtë kuadër fiskal me direktivat dhe kërkesat e Bashkimit Evropian”, tha Malaj.
Malaj tha se, rishikimi do të shtrihet mbi një periudhë dyvjeçare, duke përfshirë të gjitha normat tatimore të reduktuara ose të përjashtuara, që nuk janë në linjë me kërkesat e BE-së.
Sipas tij, qëllimi është që legjislacioni fiskal shqiptar të përafrohet gradualisht me standardet europiane.
“Kjo do të thotë që do të rishikohen të gjitha normat tatimore përgjatë një periudhe dyvjeçare, norma tatimore të cilat janë të reduktuara ose janë të përjashtuara, nuk janë në linjë me kërkesat e BE-së, të cilat do të duhet të përafrohen me këto kërkesa në fund të proceseve integruese”, u shpreh ai.
