Banka e Shqipërisë skeptike për rritjen e pagave: Mbështet fuqinë blerëse, por krijon rreziqe për inflacion më të lartë

Papunësia e ulët dhe rritja e vazhdueshme e pagave ngelet një burim rreziku për rritje të çmimeve në të ardhmen. Në raportin e politikës monetare për tremujorin e katërt të vitit, Banka e Shqipërisë evidenton ecurinë pozitive të treguesve të tregut të punës.

Të dhënat e tremujorit të dytë tregojnë rritjen me 3.4% të punësimit në sektorin privat jobujqësor, uljen e shkallës së papunësisë në 8.5% dhe rritjen e pagës në sektorin privat me 9.5%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, këto zhvillime kanë mbështetur fuqinë blerëse të familjeve, por ato kanë rritur njëkohësisht kostot e prodhimit, duke vijuar të jenë një burim rreziku për rritjen e presioneve inflacioniste në të ardhmen.

Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në tremujorin e tretë, duke arritur një nivel mesatar prej 2.4%, nga 2.3% dhe 2%, në dy tremujorët paraardhës. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, kjo rritje pasqyroi kryesisht rritjen e çmimit të qirave dhe rënien më të zbutur të çmimit të naftës, ndërsa çmimet e ushqimeve shënuan rënie.

Në veçanti, Banka e Shqipërisë thekson se presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, në pasqyrim të zgjerimit të aktivitetit ekonomik, kushteve të shtrënguara në tregun e punës, si dhe rritjes së çmimit të qirave. Këto të fundit ishin faktori kryesor që solli rritjen në 2.9% të inflacionit bazë në tremujorin e tretë.

Në të kundërt, presionet inflacioniste nga jashtë mbeten të dobëta, të kushtëzuara nga çmimet e ulëta të lëndëve bazë në tregjet ndërkombëtare dhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit të Lekut, raporton Monitor.al.

Ekonomia shqiptare u rrit mesatarisht me 3.6% gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e konsumit dhe investimeve u mbështet nga gjendja e mirë financiare e sektorit privat, rritja e kredisë dhe nivelet e larta të besimit të konsumatorëve dhe bizneseve. Në të njëjtën kohë, turizmi ka vijuar të rritet, ndonëse me ritme të moderuara, i nxitur nga rritja e kërkesës së huaj.

Ky profil i rritjes ekonomike është pasqyruar në zgjerimin e aktivitetit në sektorët e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori bujqësor dhe ai industrial kanë vijuar të shfaqin rënie të vëllimit të aktivitetit.

Në vlerësimin e Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare pritet të rritet pranë potencialit në afatin e mesëm, ndërsa inflacioni pritet të rritet drejt objektivit 3%, brenda gjysmës së parë të vitit 2026. Kthimi i inflacionit në objektiv do të mbështetet nga rritja e inflacionit të importuar dhe nga qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja ekonomike do të mbështetet nga kërkesa e sektorit privat për konsum dhe investime, si dhe nga kërkesa e huaj, veçanërisht në sektorin e turizmit.

Kontributi direkt i këtij sektori pritet të moderohet gradualisht në horizontin afatmesëm, por forcimi i lidhjes me sektorët e tjerët të ekonomisë do të ndihmonte në zgjerimin e ndikimit të tij në aktivitetin e brendshëm ekonomik.

Nga ana tjetër, kërkesa e sektorit privat do të mbështetet nga gjendja e qëndrueshme financiare e familjeve dhe bizneseve, klima pozitive e besimit dhe kushtet e favorshme të financimit. Megjithatë, ritmi i rritjes së ekonomisë parashikohet të jetë disi më i ngadaltë në krahasim me tre vitet e shkuara, në kushtet e ngadalësimit të pritur të aktivitetit ekonomik në Eurozonë dhe të afrimit të ekonomisë shqiptare me kapacitetet e saj prodhuese.


Shtuar 13.11.2025 17:15