Punëtorët e RTK-së dalin sërish në protestë, nga e hëna fillojnë grevën njëorëshe

Për të tretën herë, punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë dalë sot sërish në protestë, duke kërkuar ekzekutimin e pagave të tyre.

Gjatë protestës, kryetari i SPERTK, Gëzim Bimbashi i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të veprojë njësoj si në gusht të këtij viti dhe të sigurojë pagesat.

“Gjendja në RTK është përkeqësuar ndërsa institucionet po vazhdojnë të heshtin. Mbi 700 familje të punonjësve të RTK po përballen me probleme për mbijetesë. Presione nga bankat, detyrime për të paguar, ankth i përditshëm për të ardhmen. Kjo nuk është krizë ekonomike, është krizë e identitetit”, ka thënë Bimbashi.

Ai shtoi se situata mund të zgjidhet menjëherë pa asnjë vonesë me një vendim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Të gjitha justifikimet e tjera për komisione apo procedura të tjera janë beteja mes partish. Mos i fusni punëtorët e RTK-së në beteja politike. Ne nuk jemi pjesë e asnjë partie. Jemi punëtorë që kërkojmë atë që na takon me ligj”, ka deklaruar tutje Bimbashi.

Bimbashi tha se deri më tani nuk ka pasur veprime konkrete nga autoritetet dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme.

“Kemi dëgjuar deklarata por asnjë veprim konkret. Prandaj, i bëjmë thirrje publike kryeministrit në detyrë Kurti që të veprojë ashtu sikurse herën e kaluar dhe të mundësojë zgjidhjen e menjëhershme të situatës. Është e papranueshme që punëtorët nuk kanë marrë as njoftim nga menaxhmenti për vonesë të pagave. RTK është pronë publike dhe e qytetarëve, e jo e partive politike. Ne do ta mbrojmë me dinjitet, unitet dhe vendosmëri”, tha ai.

Punëtorët e RTK-së njoftuan se greva do të fillojë nga e hëna dhe do të zgjasë një orë, nga ora 11:00 deri në 12:00.

“Greva do të fillojë nga e hëna në të gjithë RTK-në. Kërkojmë që nga kjo orë të mos punohet asgjë”, tha Bimbash.
Ndërkaq Atdhe Hykolli nga BSPK që kishte dalë në mbështetje të protestës së punëtorëve të RTK-së ka thënë se zëri i punëtorëve duhet të dëgjohet.

“I bëjë thirrje punëdhënësve, institucioneve, qeverisë dhe kryeministrit në detyrë që të dëgjojë atë që po thuhet sot këtu. Demokracia e vërtetë është kur dëgjohet zëri i punëtorëve. Sot kërkojmë pagën për punën që ne bëjmë”, tha Hykolli.

Në mbështetje të protestës ishte edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha.

Rexha tha se AGK qëndron në përkrahje të kolegëve të RKT-së, derisa bëri thirrje që qeveria të gjej rrugë ligjore që punëtorëve të mediumit publik tu ekzekutohen pagat.

“AGK edhe njëherë dhe gjatë gjithë kohës qëndron në përkrahje dhe solidaritet të plotë me kolegët e RTK-së. Është për keqardhje që jemi në mesin e muajit nëntor dhe pagat e 700 kolegëve në RTK nuk janë ekzekutuar. Përgjegjësia bie mbi Qeverinë e Kosovës. Thirrja jonë është për kryeministrin në detyrë që bashkë me ministrin e Financave të gjej rrugë ligjore për të ekzekutuar edhe për tre muaj shtesë buxhetin për RTK. Këtë situatë e shohim si presion shtesë të LVV-së dhe qeverisë ndaj transmetuesit publik”, tha Rexha duke shtuar se përkrahin edhe grevën e paralajmëruar për të hënën, derisa uroi që të mos vie deri aty.

Kurse, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj gjithashtu tha se mbështesin protestën e punëtorëve të RTK.

“Sikurse u gjetën para për studentët e pensionistët është dashur të gjenden edhe për punëtorët e RTK-së”, tha Jasharaj.


Shtuar 13.11.2025 14:42

Tags: ,