Aktorja e njohur amerikane Amanda Bynes ka ndarë së fundmi me ndjekësit e saj rezultatet e humbjes së peshës që ka arritur duke përdorur Ozempic, ilaçin e njohur që zakonisht përdoret për trajtimin e diabetit, por që vitet e fundit është bërë i famshëm edhe si ndihmës për rënien në peshë.

Në postimin e saj në Instagram, Bynes tregoi se deri tani ka humbur rreth nëntë kilogramë, ndërsa synon të heqë edhe rreth 23 të tjerë për të arritur peshën që dëshiron.
Ajo rrëfeu se fillimet nuk ishin të lehta: “Kur nisa Ozempic në qershor, në vend që të humbisja peshë, shtova disa kilogramë. Arrita në 82 kilogramë, por tani jam sërish rreth 74. Po ndjej ndryshime pozitive dhe dua të vazhdoj derisa të ndihem mirë me veten,” ka shkruar aktorja.
Transformimi i saj fizik vjen disa muaj pas një tjetër lajmi që mori vëmendje nga fansat, vendimi për të hapur një profil në platformën OnlyFans. Ajo theksoi se qëllimi i profilit nuk është publikimi i përmbajtjes eksplicite, por krijimi i një mënyre të re për të komunikuar drejtpërdrejt me admiruesit e saj. Abonimi në llogarinë e saj kushton 50 dollarë në muaj.
Amanda duket se po ndërthur përpjekjet për shëndetin dhe karrierën e re, duke treguar se ndryshimet e vogla mund të sjellin rezultate të mëdha.
