Pallati Buckingham do të presë vitin e ardhshëm një ekspozitë të paprecedentë që do të nxjerrë në pah trashëgiminë e garderobës ës së lënë pas nga mbretëresha e ndjerë Elizabeth II gjatë sundimit të saj 70-vjeçar.
“Gardëroba e madhërisë së saj është një pasqyrë e një jete shumë të gjatë, një jete përkushtimi, dhe në shumë mënyra përfaqëson një kapsulë kohore,” tha stilisti britanik Erdem Moralioglu. “Ajo përfshin një periudhë shumë të veçantë dhe të rëndësishme të historisë”.
Ekspozita e titulluar “Queen Elizabeth II: Her Life in Style” do të shfaqë rreth 200 veshje të mbajtura nga mbretëresha gjatë 96 viteve të jetës së saj, gjysma e të cilave nuk janë ekspozuar kurrë më parë, bëri të ditur sot Koleksioni Mbretëror.
Do të përfshihen edhe disa skica, disa prej të cilave mbajnë shënime nga vetë stilistët dhe madje nga mbretëresha Elizabeth.
Moralioglu, së bashku me stilistët britanikë Richard Quinn dhe Christopher Kane, do të kontribuojnë me vepra në ekspozitën që do të hapet në Galerinë e Mbretit në Pallatin Buckingham në muajin prill.
Stili i Elizabeth dhe promovimi i kulturës britanike patën “një ndikim të madh në modën britanike”, tha Quinn. “Ajo ishte vula përfundimtare e miratimit: gjithmonë nxori në pah stilistët britanikë, duke theksuar rëndësinë dhe vlerën e modës britanike në mbarë botën”.
Kane shtoi se “veshjet e saj tregojnë historinë e Britanisë dhe identitetin e saj në ndryshim përmes modës”.
Ndër veshjet që do të ekspozohen është një fustan mbrëmjeje në ngjyrë jeshile molle, i dizajnuar nga Norman Hartnell dhe i veshur nga mbretëresha gjatë një darke shtetërore në ambasadën britanike në Uashington në vitin 1957, për presidentin e atëhershëm Dwight D. Eisenhower.
Në ekspozitë do të përfshihen gjithashtu fustani i dasmës dhe ai i kurorëzimit, të dy të krijuar nga Hartnell, si dhe një fustan shoqëruese dasme që ajo veshi në vitin 1934.
Do të ketë edhe pjesë praktike nga gardëroba private e mbretëreshës, përfshirë veshje hipizmi dhe shallë karakteristikë. Një nga objektet më të pazakonta është një pelerinë transparente plastike, e krijuar nga stilisti Hardy Amies në vitet 1960, që konsiderohet “jashtëzakonisht moderne për kohën,” sipas Koleksionit Mbretëror.
“Gardëroba e Mbretëreshës Elizabeth II ishte një leksion mjeshtëror në simbolizëm, prerje dhe mjeshtëri britanike”, tha kuratorja Caroline de Guitaut.
Biletat për ekspozitën, e cila do të qëndrojë e hapur nga 10 prilli deri më 18 tetor 2026, do të dalin sot në shitje.
