Tabaku revoltohet me deputetin e Lëvizjes Bashkë: Për Redat e Qorrit që s’duan të shohin, mos bëni opozitën e opozitës, por kërkojini llogari Qeverisë për minatorët

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, është acaruar me ligjvënësin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, i cili kritikoi demokraten që përmendi në Parlament protestën e minatorëve jashtë Kuvendit për çështjen e statusit, dhe jo të pensionistëve.

“Për Redi Reda dhe qorra që nuk shohin”, iu drejtua ligjvënësja Tabaku, duke i kërkuar Redi Muçës që të mos bëjë opozitën e opozitës, por t’i kërkojë llogari Qeverisë.

Jorida Tabaku, u shpreh se Redi Muçi duhet të bëjë kauzat e veta, duke shtuar se është turp të merret me PD.

“Redi Muçi të bëjë kauzat e veta, të bëjë propozimet e veta, të mos merret me PD. I kemi këto çështje të shenjta. Është turp të merret me opozitën, kur duhet ti kërkojë llogari qeverisë”, theksoi ajo.

Jorida Tabaku: “Për Redi Reda dhe qorra që nuk shohin, PD ka propozuar statusin e minatorit këtu e 3 vite të shkuara, e kam firmosur unë. Kemi diskutuar në këtë sallë Parlamenti.

Dhe një sugjerim m.q.s je deputet i ri, të bësh opozitën e opozitës nuk të shkon. Sot duhet të kishe dalë, t’i kishe kërkuar llogari qeverisë pse propozimet e PD për pensionin minimal, rritjen e pensionit, statusin e minatorit, nuk po zbatohen. Nëse sot ka grup më të penalizuar se pensionistët e minatorët që duhet të ishin me mbështetje më të lartë, duke qenë se këtu kemi një parti që e mban veten për të majtë, sot Parlamenti duhet të kishte folur për këto. Redi Muçi të bëjë kauzat e veta, të bëjë propozimet e veta, të mos merret me PD. I kemi këto çështje të shenjta. Është turp të merret me opozitën, kur duhet ti kërkojë llogari qeverisë.

Përdore Parlamentin për njerëzit, mos e përdor për të sulmuar ata që flasin për njerëzit.

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi u përplas me opozitën sa i takon protestës së minatorëve të Spaçit.

Ai u shpreh se pavarësisht propozimit të Jorida Tabakut për të marrë në konsideratë propozimet e minatorëve të Spaçit, “në 8 vite në pushtet, PD nuk miratoi statusin e minatorit”.

Sipas tij, përveç minatorëve në protestë janë edhe pensionistët, por sic thotë ai “PD dhe Tabaku nuk i kanë vënë re”.

Redi Muçi: Sa i përket propozimit të zonjës Tabaku për futjen në rendit të ditës të çështjes që ka të bëjë me minatorët e Spaçit, unë me habi pozitive konstatoj se në Kuvendin e 2025 PD po përmend fjalën minator dhe e mbështes propozimin e kësaj çështje.

Përderisa u fol edhe për statusin e minatorit, dua të kujtoj që kur ishte 8 vjet në pushtet nuk e miratoi statusin dhe shumë mirë që e miraton për propozim. Shpresoj që të njëjtën gjë të bëjë edhe pala e mazhorancës dhe jo ti përdorë minatorët jo për retorikë.

Më bën habi fakti që zonja Tabaku përmendi protestën e minatorëve, por vetëm pak metra larg protestës së minatorëve, zhvillohet protesta e pensionistëve, që janë ende me pensione urie. Më habit fakti sesi deputetët e PD nuk e vunë re protestën e pensionistëve. Uroj që si PD dhe PS të bien bashkë në konsensus për ti shqyrtuar problematikat e këtyre dy grupeve sociale.


Shtuar 30.10.2025 12:54

Tags: ,