U aksidentuan në aksin Korçë-Pogradec, turistët francezë dërgohen drejt Traumës

Dy turistët francezë që u përfshinë në një aksident automobilistik mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Pogradec-Korçë, pranë fshatit Çerravë, janë dërguar drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Burime pranë spitalit të Pogradecit bëjnë me dije se të dy të lënduarit pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore pranë këtij spitali e kishin urgjente transferimin në kryeqytet, pasi kishin “Politraumë” e cila trajtohet vetëm në kryeqytet. Mësohet se me më shumë plagë paraqitet gruaja, por të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Turistët francezë po udhëtonin me motor nga Korça në drejtim të Pogradecit në momentin kur një automjet tip “BMW” u preu rrugën pranë kryqëzimit të fshatit Çerravës duke shkaktuar përplasjen.

“Rreth orës 09:55, në aksin rrugor “Korçë–Pogradec”, motomjeti me drejtues shtetasin F. D., rreth 41 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin E. C.

Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar drejtuesi i motomjetit dhe shtetasja që udhëtonte me të, të dy shtetas francezë, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, – njoftoi Policia.