Kolegji i Posaçëm i Apelit, ka shkarkuar nga detyra prokuroren e Tiranës, Mirela Zavalani për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe për cenim të besimit të publikut.
Mirela Zavalani, u konfirmua në detyrë më 15 qershor nga KPK, pas një seance dëgjimore ku u evidentuan më së shumti gjetjet për pasurinë e vjehrrit të saj.
Po ashtu, u trajtua edhe e ardhura e përfituar nga dhënia me qira kunatit, të një objekti në pronësi të bashkëshortit dhe babait të tij, deklaruar si një ndër burimet për një apartament në Tiranë.
Bashkëshorti i subjektit ka pasqyruar në deklaratën e vetingut pasurinë supermarket, tregtim pjesë këmbimi + servis auto + godinë banimi, me sipërfaqe totale 634 m2, me vendndodhje Patos, Fier, në bashkëpronësi me babanë e tij, me pjesë takuese 50% secili.
Si burim krijimi janë deklaruar të ardhurat nga puna e prindërve dhe nga shitja e një apartamenti të mëparshëm.
Komisioni konstatoi kontradikta mes dy deklaratave të prindërve të bashkëshortit lidhur me këtë pasuri, por konkludoi se kjo situatë nuk sillte ndonjë pasojë, pasi mbeteshin në një nivel deklarativ.
Ndërsa pamjaftueshmëria financiare e konstatuar për vitet 2004-2006 në shumën rreth 1.3 milionë u çmua si fakt i pamjaftueshëm për penalizim.
Vendimi i KPK u gjet i pabazuar nga Komisionerja Irena Nino, e cila kërkoi verifikimin e përfundimeve të arritura në shkallën e parë të vetingut, si dhe që të vendoset në mënyrë alternative, lënia në fuqi e konfirmimit, ose ndryshimi dhe shkarkimi i subjektit.
Shkarkimin nga detyra të Zavalanit, e ka kërkuar Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion për mosdeklarim të mjaftueshëm të pasurisë si dhe cenim të integritetit.
