Një vajzë u bë shkak i sherrit! Zbardhet vrasja e 23-vjeçarit shqiptar në Itali, u godit duke mbrojtur vëllain

Shqiptari Hekuran Cumani vetëm 23-vjeç, u gjet i pajetë në parkingun e Universitetit të Matematikës, në Perugia të Italisë, në një skenë të dyshuar si sulm fatal me thikë.

Ajo që nisi si një mbrëmje argëtimi me muzikë, shoqëri dhe drink në një lokal studentor të Perugias, përfundoi në një tragjedi të tmerrshme.

Një sherr i nisur për një arsye të parëndësishme, por i ndezur nga alkooli dhe nervozizmi, përfundoi me përdorimin e armëve të ftohta dhe me një të vdekur.

“Një djalë i qetë, larg problemeve”, thonë ata që e njihnin mirë. Hekurani punonte herë pas here, së fundmi kishte kaluar verën në Senigallia si kamarier. Kishte pasion për palestrën dhe tatuazhet.

Si ndodhi ngjarja

Të premten mbrëma, ai kishte dalë me rreth 10 shokë nga zona e Fabrianos, përfshirë vëllain e tij më të vogël, Samuele, për të kaluar mbrëmjen në “100Dieci Cafè”, një lokal shumë i frekuentuar nga studentët, pranë Departamentit të Matematikës në Universitetin e Perugias.

Në lokal nisi një përplasje me një grup të rinjsh me prejardhje nga Tunizia dhe Maroku (të gjeneratës së dytë, banues në Ponte San Giovanni).

Nuk ka pasur lidhje me drogë apo çështje Universitare, dyshohet se gjithçka nisi për një koment ndaj një vajze, një shikim apo fjalë të hedhur në ajër.

Në ambientin e brendshëm nuk kishte armë, hyrja kontrollohej me metal detector. Konflikti u duk se u shua aty për aty. Por më vonë, rreth orës 4:30 të mëngjesit, teksa grupi nga Fabriano po largohej, ata u përballën sërish me grupin tjetër në një parkim pranë Departamentit të Informatikës.

Njëri nga të rinjtë tunizianë ishte armatosur dhe, sipas dëshmitarëve, kishte me vete dy thika. Ndodhi një përleshje fizike. Samuele Cumani, u plagos në këmbë, ndërsa Hekurani, duke u përpjekur ta mbronte, u godit me thikë në fyt dhe në kraharor plagë fatale, shkruajnë mediat italiane.

Grupi i agresorëve u arratis, ndërsa miqtë e Hekuranit thirrën menjëherë ndihmën. Por për të riun 23-vjeçar nuk kishte më asnjë shpresë. Mjekët e emergjencës mundën vetëm të konfirmonin vdekjen.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë, prokurorja Gemma Miliani, hetuesit e policisë shkencore dhe mjekja ligjore Anna Maria Verdelli. Familja e Hekuranit dhe vëllait të tij, mori një telefonatë tronditëse në orët e para të mëngjesit dhe u nis menjëherë drejt Perugias.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë brenda dhe jashtë lokalit. Janë marrë në pyetje dhjetëra persona, përfshirë miqtë e viktimës dhe disa nga të rinjtë e dyshuar.

Autori i vrasjes mendohet të jetë një djalë rreth 22-24 vjeç, me origjinë tuniziane. Sipas burimeve hetimore, ndalimi i tij mund të jetë çështje kohe.


Shtuar 19.10.2025 10:56