I shpallur në kërkim për vrasjen e Edmir Bregut, arrestohet Aldo Avdylaj

Mëngjesin e sotëm, Forcat operacionale, kanë arrestuar Aldo Avdylajn, i shpalluar në kërkim për vrasjen e Edmir Bregut.

Raportohet se Aldo Avdyli, është arrestuar në një apartament pranë Kopshtit Zoologjik në kryeqytet.

Vrasja e Edmir Bregut, është planifikuar prej muajsh nga Aldo Avdylaj alias Elidon Avdylaj në bashkëpunim me Arben Mërkurin, Ermir Dedjan dhe një disa persona të tjerë, të cilët kanë role specifike, konkretisht si çuni i Bariut, i cili është vëzhgues i lëvizjeve të shënjestrës.

Në një bisedë të marrë nga dosja e SPAK, zbulohen planet për tu takuar Aldo Avdylaj dhe çunin e Bariut nëpërmjet Arben Mërkurit.

Gjithashtu, Aldo Avdylaj, kërkon që vrasja të kryhet sa më parë, por Mërkuri e këshillon të presë sa të qetësohet situata sepse ka shumë civilë vërdallë.

Akuzat e ngritura nga SPAK ndaj tij:

a. “Vrasje me paramendim”, kryer per hakmarrje, në dëm të shtetasit E.B alias I. K në datën 24.01.2021 në qytetin e Durresit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.

b. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4 dhe 334 paragrafi i parë të Kodit Penal.

c. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.


Shtuar 14.10.2025 09:10