Kush më dënon nipin, ka të njëjtin fat/ Reagon familja e Gjovalin Shkambit: Kërkojmë ndjesë, babi ynë ishte i rënduar psikologjikisht

Xhaxhai i vrasësit të gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjovalin Shkambi, pak ditë më parë kërcënoi së nëse nipi i tij, Elvis Shkambi do të dënohet, gjyqtarët do të kenë të njëjtin fat si Astrit Kalaja.

Pas këtyre deklaratave, ai u vu në pranga, ndërsa sot ka reaguar familje e tij, e cila kërkon ndjesë publike, duke deklaruar se Gjovalin Shkambi, ka qenë në gjendje të rënduar.

Teksa shprehin ngushëllime për familjen e gjyqtarit, ata thonë se janë të vetëdijshëm se kërcënimet nuk justifikohen në asnjë rrethanë.

“Ne si familjarë e kuptojmë plotësisht madhësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ngjarjeje, por kërkojmë me mirëkuptim që mediat të shmangin sa më shumë përfshirjen në jetën tonë familjare, pasi babai jone është marrë në pyetje dhe është publikuar në momente jashtëzakonisht të vështira dhe në gjendje të rënduar psikologjike”, shprehet familja e Gjovalin Shkambit.

Reagimi:

E nisim këtë mesazh duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes së gjyqtarit të ndjerë!

Shprehim keqardhje të thellë për gjithë situatën e krijuar pas deklaratave të babait tonë.

Kërkojmë publikisht ndjesë për fjalët e thëna prej tij, të cilat, siç ka pranuar edhe vetë, janë shprehur në një moment gjaknxehtësie dhe tronditjeje të madhe.

Pavarësisht se drejtësia deri më tani nuk ka arritur ende të vendosë pikën përfundimtare mbi këtë çështje, ne nuk duam në asnjë mënyrë të përdorim gjuhë urrejtjeje ndaj personave që ushtrojnë detyrën e tyre dhe respektojmë proceset ligjore që po zhvillohen.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se kërcënimet nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, por kërkojmë mirëkuptim për gjendjen e rënduar emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhej babai ynë në ato momente.

Ne si familjarë e kuptojmë plotësisht madhësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ngjarjeje, por kërkojmë me mirëkuptim që mediat të shmangin sa më shumë përfshirjen në jetën tonë familjare, pasi babai jone është marrë në pyetje dhe është publikuar në momente jashtëzakonisht të vështira dhe në gjendje të rënduar psikologjike.

Urojmë që drejtësia dhe qetësia të mbizotërojnë, dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë!

Me respekt,

Familja e Gjovalin Shkambi


Shtuar 10.10.2025 09:21