EMRI/ Dhunohet barbarisht punonjësi i Ndërmarrjes së Pastrimit në Vlorë, i rrezikohet shikimi në syrin e djathtë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur ditën e sotme në qytetin e Vlorës, ku një 70-vjeçar është sulmuar brutalisht në mes të ditës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, përballë tregut të Çoles, ku Kozma Kukli, punonjës i Ndërmarrjes së Pastrimit, është dhunuar fizikisht nga persona ende të paidentifikuar.

Kukli u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas burimeve, ai ka pësuar dëmtime të shumta në kokë dhe në syrin e djathtë dhe rrezikon humbje të shikimit.

Sipas dëshmisë së vetë të moshuarit, dy persona janë afruar me një furgon, kanë zbritur prej tij dhe e kanë goditur në mënyrë të menjëhershme dhe pa asnjë paralajmërim.

Policia e Vlorës ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë ngjarje, por mësohet se po verifikohen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.


Shtuar 9.10.2025 21:20

Tags: ,