Vendet arabe mirëpresin marrëveshjen për Gazën, shpresojnë për paqe gjithëpërfshirëse

Disa vende arabe kanë mirëpritur marrëveshjen midis Izraelit dhe organizatës militante palestineze “Hamas” mbi fazën e parë të planit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke thënë se kjo duhej të ishte një hap drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje.

Presidenti egjiptian, Abdel-Fattah al-Sissi e përshkroi atë si një “moment historik” që mishëron triumfin e vullnetit për paqe mbi logjikën e luftës. Bisedimet indirekte janë zhvilluar që nga e hëna, në vendpushimin egjiptian të Detit të Kuq, Sharm el-Sheikh.

“Kjo marrëveshje jo vetëm që mbyll kapitullin e luftës, por gjithashtu hap derën e shpresës për popujt e rajonit për një të ardhme të përcaktuar nga drejtësia dhe stabiliteti”, shkroi al-Sissi në X.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu e mirëpritën marrëveshjen, duke vlerësuar rolin e Trump dhe përpjekjet e ndërmjetësve dhe shprehen besimin – në dy deklarata të veçanta, se marrëveshja do të çonte në lehtësimin e vuajtjeve të palestinezëve në Gaza – do të rivendoste sigurinë dhe stabilitetin – dhe do të çonte në një paqe të drejtë dhe gjithëpërfshirëse bazuar në zgjidhjen me dy shtete.

Presidenti libanez, Joseph Aoun tha se shpresonte që kjo marrëveshje do të përbënte një hap të parë drejt një armëpushimi të përhershëm dhe përfundimit të vuajtjeve të popullit në Gaza.

“Shpresoj që Izraeli do t’u përgjigjet thirrjeve të bëra nga udhëheqësit arabë dhe të huaj për të ndaluar politikat e tij agresive në Palestinë, Liban dhe Siri – për të krijuar një klimë pozitive – për të punuar drejt një paqeje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që sjell stabilitet në Lindjen e Mesme”, tha Aoun, sipas NNA.

Shefi i “Arabe League”, Ahmed Aboul Gheit e përshkroi marrëveshjen si “lajm të mirë” për popullin në Gaza pas dy vitesh gjakderdhjeje.


Shtuar 9.10.2025 15:20