Ditën e djeshme, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientet jashtë gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz, ku disa nxënës janë përfshirë në një konflikt që ka degraduar në përdorimin e dhunës.
Uniformat blu, kanë zbardhur rrethanat e konfliktit për motive të dobëta, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz, ndërmjet pesë 16-vjeçarëve.
Policia bën me dije se janë arrestuar 2 të mitur që dëmtuan me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit e tjerë.
Në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të datës 02.10.2025, në bulevardin “Nënë Tereza”, në të cilin u përfshinë 5 shtetas të mitur, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në praninë e prindërve, psikologut dhe mbrojtësve ligjorë, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të dy 16-vjeçarëve.
Të miturit e arrestuar dyshohet se kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit me të cilët janë konfliktuar për motive të dobëta.
Njëri prej të dëmtuarve është aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa 16-vjeçari tjetër, jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari i 3-të, është larguar në banesë, me dëmtime të lehta.
Punohet për gjetjen e mjetit prerës të përdorur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.