Këtë të hënë, Kuvendi u mblodh në seancën e radhës plenare. Seanca nisi në orën 13:00 dhe zgjati rreth dy orë.
Në fund, kuvendi miratoi kalendarin trejavor, teksa opozita bojkoit votimin. Ky votim, i hap rrugë punës së komisioneve parlamentare.
Gjatë kësaj seancë u miratua edhe procesverbali i seancës plenare të datës 24 shtator, ku u miratua përbërja e komisioneve të përhershme parlamentare.
Më herët u mblodh dhe Konferenca e Kryetarëve, ku Partia Demokratike paraqiti dy kërkesa: Mocion me Debat mbi programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme dhe gjithashtu përsëritjen e seancës plenare ku u prezantua programi i qeverisë.
Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakortësinë për programin, ç`ka do të thotë se programi i kalon seancës për miratim.
Në nisje të punimeve, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe deputeti Flamur Noka, kërkuan të rishihet programi i Kuvendit.
Deputetja e PD, Jorida Tabaku, tha se Komisioni për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura, është antikushtetues dhe në shkelje të rregullores së Kuvendit.
Tabaku shtoi se opozita ka kërkuar mocion për kryetarin e Parlamentit, debat për programin e qeverisë dhe interpelancë për integrimin në BE.
“Ne duhet të fokusohemi te kërkesat e diskutuara në Konferencën e Kryetarëve dhe përgjegjësja e komisioneve duhet të respektojë Rregulloren”, tha ajo.
“Grupi parlamentar i PD ka kërkuar një mocion për kryetarin e Parlamentin dhe një mocion me debat për programin e qeverisë dhe një interpelancë për programin e qeverisë për integrimin në BE.
Mendoj që duhet të fokusohemi te kërkesat që u diskutuan në Konferencën e Kryetarëve. Ne e patëm një debat në Konferencën e Kryetarëve për përgjegjësinë e komisioneve parlamentare. Komisioni për monitorimin e institucioneve të pavarura është antikushtetues dhe në shkelje të Rregullores së Kuvendit. Ka vetëm një komision përgjegjës, ashtu si e thotë Rregullorja në nenet 37 dhe 38, Komisioni Përgjegjës mban përgjegjësi për raportimin e institucioneve. Nuk ka komisione parlamentare të rëndësisë së parë dhe të dytë, të gjithë kanë të një rëndësi”, tha Tabaku.
Deputeti Flamur Noka tha se seancat po zhvillohen “sa për të thënë”.
“Seanca përçudnuese 5-minutëshe që i zhvilloni sa për të thënë që ka seancë, ndërkohë që presim që kryeministri të flasë për programin e qeverisë. T’u thonë shqiptarëve se çfarë kanë ndërmend të bëjnë. Zhvilloni seancë pas seance sa për të thënë”, theksoi Noka.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi që të mos shkelet Rregullorja duke nisur seancën me debat për procesverbalin.
“Seanca plenare nis me miratim procesverbali dhe kur s’ka vërejtje, quhet i miratuar. Fjala u jepet vetëm deputetëve që propozojnë korrigjim”, sqaroi Balla.
Kreu i grupit socialist tha se ajo që po ndodh në seancën e sotme është e paprecedentë.
“Kemi mbi 20 minuta që dëgjojmë këtu diskutantë që s’kanë thënë asnjë fjalë për fjalimin e tyre historik të para disa ditëve. Po ndodh një precedent që nuk ka ndodhur ndonjëherë; nuk ka pasur diskutime të këtij lloji në këtë pikë të rendit të ditës. Diskutimet ndodhin pas miratimit të procesverbalit”.
Sipas Ballës, sot ka pasur një diskutim shumë të mirë në Konferencën e Kryetarëve, por ai kërkoi që në këtë seancë të zbatohet Rregullorja.
“Tani pak durim. Le të shkojmë tek ajo pikë dhe aty është autorizuar kryetari i grupit parlamentar të marrë fjalën. T’i japim fund këtij standardi të çuditshëm, që nuk mbahet mend, Kuvendi të nisë me debat për proceverbalin, kur kjo është pjesa më e rregulluar e Rregullores. Merr fjalën dhe thua që kam marrë fjalën dhe ma kanë thënë gabim”, deklaroi Balla gjatë seancës.
Pas këtij diskutimi, Kuvendi miratoi me votat e mazhorancës procesverbalin e seancës së shkuar plenare. Kuvendi miratoi në seancën e 24 shtatorit me 94 vota pro, 3 abstenime dhe 1 kundër projektvendimin “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, si dhe miratoi me 87 vota pro, 4 abstenime dhe 2 kundër projektvendimin “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
Edhe për pikën e dytë të rendit të ditës pati debate. Opozita shprehu shqetësim për depozitimin e 19-të projektligjeve në një ditë.
Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, vuri në dukej se mazhoranca, ka sjellë 19 projektligje brenda ditës për diskutim dhe pa i kaluar në debat.
Nga krahu tjetër, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend se, shqyrtimi i 19 projektligjeve të depozituara rishtaz lidhet vetëm me një objektiv: integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Pas kësaj, kreu i Kuvendit Niko Peleshi thirri një folës pro dhe një kundër mbi programin e Kuvendit. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, deputeti Flamur Noka deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend se, mazhoranca synon që çdo seancë ta kthejë në farsë.
Teksa kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se ka programi trejavor duhet votuar pasi i hap rrugë vijimit normal të punës në Kuvend.
Pas diskutimeve, Kuvendi u thirr në votim dhe me votat e mazhorancës u miratua programi trejavor i punimeve, duke i hapur rrugë punës së Komsioneve Parlamentare.