Ditën e djeshme, një aksident tragjik ndodhi në një galeri minerare në zonën D të Bulqizës, ku humbi jetën 38-vjeçari K. D., si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor.
Policia arrestoi dy punonjës të stafit teknik, brigadierin G. K. (47-vjeç) dhe teknikun B. C. (62-vjeç), ndërsa u procedua penalisht në gjendje të lirë drejtuesi teknik R. P. (67-vjeç).
Hetimet treguan se personat përgjegjës nuk kishin marrë masat e nevojshme të sigurisë në punë, ç`ka çoi në humbjen e jetës së minatorit.
Ngjarja po hetohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.
Njoftimi i policisë:
Bulqizë
Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në punë, në subjektin minerar ku humbi jetën dje shtetasi K. D., arrestohen 2 punonjës të stafit teknik dhe procedohet penalisht, në gjendje të lirë, drejtuesi teknik i subjektit.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësisë në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në zonën D, Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi K. D., 38-vjeç, dyshohet se, si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit:
G. K., 47-vjeç, me detyrë brigadier;
B. C., 62-vjeç, me detyrë teknik, të dy banues në Bulqizë.
Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. P., 67-vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë drejtues teknik në subjektin minerar.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.