Trafikonin armë zjarri nga Shqipëria në Angli, sekuestrohet pistoleta me silenciator. Ishte fshehur brenda një televizori. Identifikohen 3 persona…

Finalizohet operacioni “Metoda”, ku u zbulua një rast i trafikut të armëve drejt Anglisë. Një pistoletë me silenciator, e ndarë në pjesë dhe fshehur brenda një televizori, u sekuestrua nga policia në Tiranë.

Tre persona nga Shkodra u identifikuan si autorë të dyshuar, dy prej të cilëve janë arrestuar. Në kuadër të operacionit “Metoda” u vunë në pranga shtetasit Jurgen Suca dhe Segest Meti. Dyshohet se armët po trafikoheshin pa dijeninë e drejtuesit të kamionit, ku ishin fshehur.
Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Metoda”.
Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Anglisë.

Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë me silenciator, e ndarë në pjesë dhe e fshehur brenda një televizori.

Identifikohen 3 shtetas. Vihen në pranga 2 prej tyre dhe shpallet në kërkim një tjetër, të cilët dyshohet se vepronin në grup, me qëllim kryerjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve jashtë Shqipërisë.

Si rezultat i informacioneve të marra në rrugë operative për një rast trafikimi të armëve të zjarrit, nga disa shtetas nga Shkodra, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me DVP Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Metoda”.

Në vendin e quajtur “Bulevardi i ri”, në Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, kanë ushtruar kontroll në një kamion që dyshohej se disa shtetas kishin fshehur një armë zjarri për ta trafikuar. Nga kontrolli në brendësi të një televizori, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit me silenciator, të ndarë në pjesë.

Në vijim të operacionit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër u arrestuan shtetasit J. S., 26 vjeç, dhe S. M., 20 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. A., 20 vjeç, të tre banues në Shkodër.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë një armë zjarri me silenciator, me destinacion Anglinë, nëpërmjet kamionit të një shtetasi i cili nuk kishte dijeni për armën që ndodhej në brendësi të televizorit.

Vijojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve pas dyshohet se kanë trafikuar dhe armë të tjera si dhe për identifikimin e kapjen e të tjerëve të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 21.09.2025 12:55