I përfundoi mandati si ministër/ Igli Hasani: Nder që shërbeva në një periudhe historike dhe transformuese për Shqipërinë

Igli Hasani thotë se ishte nder që shërbeu si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, në një periudhë që ai e cilëson historike dhe transformuese për Shqipërinë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hasani u shpreh se pret me kënaqësi rolin e ri si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Mandati im si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme përfundon sot.

Ka qenë një nder të shërbej përgjatë një periudhe historike dhe transformuese për Shqipërinë – të shënuar nga përfundimi i mandatit tonë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, hapja e 28 prej 33 kapitujve negociues me BE-në , mikpritja e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, si dhe arritje të tjera që forcuan rolin tonë në Evropë dhe në botë, mes sfidave të thella për kontinentin tonë dhe më gjerë.

Jam thellësisht mirënjohës ndaj stafit të përkushtuar të #MEPJ dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin e ngushtë.

Pres me kënaqësi rolin tim të ri si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme – me të njëjtin mision, por nga një këndvështrim i ri.”, shkruan Hasani në Facebook.


Shtuar 16.09.2025 17:38