5000 shqiptarë veshën Hagën kuqezi, mesazh gjyqtarëve të Hagës: Jepini fund farsës me udhëheqësit e UÇK

Në Hagë kryeqytetin e drejtësisë ku veprojnë disa tribunale shqiptarët me një zë të fortë kërkuan drejtësi e pafajësi për ish udhëheqësit e luftës çlirimtare të UCK-s.

Siç raporton gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, i cili ka ndjekur nga afër gjithë zhvillimet, me flamuj e pankarta në duar ata u zhvendosën rreth një kilometër më tutje në një park për të vijuar manifestimin.

U përsërit e njëjta skenë dhe atmosferë njësoj si në dy tubimet e ngjashme zhvilluar më parë në Prishtinë. Rreth 5000 shqiptarë të grupmoshave të ndryshme mbushën këtë park në periferi të Hagës.

Të intervistuarit e Top Channel nuk e fshehin dhimbjen për atë që ata e quajnë padrejtësi të shekullit me të cilën po përballen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Nuk ishte vendi dhe e koha për fjalime pompoze por për të thënë disa fjalë zemre.

“Tubim jo i zakonshëm. Na ka mbledhë zëri i padrejtesisë. Mjaft me gjykime politike. Jemi këtu t’i themi udhëheqësve tanë jemi me ju.

Vendlindja nuk ju harron. Askush nuk e tjetërson mundin tuaj. Nuk duam liri pa ju. Liria pa ju është robëri”, tha Flakë Fazllia, vajza e një dëshmori lufte.

“Mjaft më me padrejtësi. Ne nuk kemi qenë agresori dhe pushtuesi. Aktakuzë pa baza për të shkatërruar ata që kanë mbrojtur nderin e kombit shqiptarë. Qeveria e Kosovës po hesht. Ky është një turp i madh. Mos e ktheni drejtësinë në farsë”, tha Fatmir Koçi, ish-luftëtar i UÇK.

Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë, lëshoi kritika të forta për pikënisjen e dhomave të specializuara dhe si u veprua më pas.

“Ne kemi patur kërkesë dhe presion nga qeveritë tona në Europë për krijimin e kësaj gjykate. Ishte e çuditshme mos të kishte serb përpara kësaj gjykate. E kam takuar Hashim Thaçin. I thash ti do lirohesh për mungesë provash.

Gjyqi është jo serioz. Gjykatësit ndjehen komod këtu në Hagë me një jetë shumë te mirë duke marrë paga të mira dhe e bëjnë që procesi të tejzgjatet. Është e pamendueshme te mbërrish në konkluzionin se UCK ishte një organizatë kriminale”, tha ai.

Natyrshëm fjala e ish ambasadorit prodhoi brohoritje duke shënuar një mbyllje siç e meritonte ky tubim madhështor.

“Boll padrejtësive me çlirimtaret e Kosovës”. Ky ishte mesazhi që u përcoll fuqishëm nga disa mijëra shqiptarë të mbledhur jo shumë larg dhomave të specializuara të Kosovës. Megjithatë beteja finale për drejtësi do të vijojë me shpresën dhe e besimin e pafajësisë të atyre që u vunë në ballë të UÇK-s, nga një proces i tejzgjatur e me plot dritëhije.

Policia nuk lejoi shqiptarët të vendosnin pankartat në derën hyrëse të Dhomave të Specializua.

Ngritën në ajër një helikopter për të monitoruan ndërsa në terren mbërriti skuadra e specializuar për protestat.

Nuk pati asnjë incident, por edhe njëherë tjetër u prodhua pakënaqësi e thellë në atë që po ndodh në ndërtesën e ish-Interpolit, me tenda të kuqe e muret me lule kacavjerrëse.


Shtuar 14.09.2025 21:45