Ilir Meta ankimon masën e arrestit në Gjykatën e Lartë! Ish-presidenti kërkon zbutjen ose rrëzimin e vendimeve të GJKKO dhe Apelit

Ish-presidenti i Republikës dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ankimuar në Gjykatën e Lartë masën e sigurisë “arrest në burg”, vendosur ndaj tij nga GJKKO me kërkesë të SPAK. Rekursi është depozituar nga avokatët e Metës, të cilët kërkojnë zbutjen ose rrëzimin e vendimeve të dhëna më parë nga Shkalla e Parë dhe Apeli i Posaçëm.

Gjykata e Lartë ka regjistruar tashmë çështjen dhe në ditët në vijim pritet të caktojë datën e seancës dhe trupën gjykuese që do shqyrtojë kërkesën.

Ndërkohë, GJKKO ka caktuar datën 25 shtator, ora 11:00, për zhvillimin e seancës së parë paraprake ndaj Ilir Metës dhe katër personave të tjerë të pandehur nga SPAK. Kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila u përzgjodh përmes shortit elektronik.

Gjyqtarja Irena Gjoka do vendosë nëse çështja do kalojë për gjykim, do kthehet në SPAK për hetime të mëtejshme apo do pushohet.

SPAK ka përfunduar hetimet më 28 korrik, duke i bashkuar tre çështje: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Në dosje, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

Nëna e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, dhe shtetasit Pirro Xhixho e Ema Çoku akuzohen gjithashtu për pastrim parash dhe korrupsion. Konkretisht, Xhixho për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, në bashkëpunim.

Ilir Meta ndodhet në burg që prej tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi është me masën “detyrim paraqitje”. Më 8 shtator 2025, Apeli i GJKKO rrëzoi kërkesën e Metës për lirim, duke lënë në fuqi vendimin e 13 gushtit të Shkallës së Parë, me arsyetimin se lirimi i tij do rrezikonte manipulimin e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve.


Shtuar 10.09.2025 18:44