Pas samitit të Ukrainës në Uashington, Evropa premton të luajë rolin e saj në një proces paqeje për Ukrainën. Po a do t’i përmirësojë ky premtim marrëdhëniet me SHBA-në?
Bilanci i takimit në Uashington të krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane në Shtëpinë e Bardhë del mjaft i balancuar.
Nga njëra anë, Evropa, kontinenti i kjetër mori frymë lirisht: nuk pati asnjë konfrontim midis Volodymyr Zelenski dhe Donald Trumpit, siç pati shkurtin e kaluar – apo edhe një shkëputje të marrëdhënies transatlantike.
Nga ana tjetër, Donald Trump, nuk i përmbushi kërkesat kryesore evropiane – para së gjithash, kërkesën për një armëpushim përpara se të fillonin negociatat e paqes për Ukrainën.
Niklas Ebert përgjegjës për programin e sigurisë në institutin Marshall Fund thotë, se evropianët në kushtet aktuale arritën më të mirën e mundshme.
Por Evropa duhet të përgatitet për faktin se marrëdhënia transatlantike, nuk është më ajo që ishte dikur.
Uashingtoni nuk është një partner mbi të cilin mund të mbështetesh gjithmonë, paralajmëron Ebert.
Edhe Anthony Gardner, ish-ambasador i SHBA-së në BE gjatë administratës së Barack Obamës dhe tani këshilltar, nuk është shumë optimist se takimi i Uashingtonit do të përmirësojë marrëdhëniet transatlantike, kjo pasi. “Trump ende e sheh Evropën si kryesisht të parëndësishme”, thekson Gardner.
Edhe pse politikanët evropianë arritën ta ndryshonin disi narrativën në favor të Ukrainës, takimi nuk arriti të prodhonte ndonjë rezultat domethënës.
Gardner gjithashtu pret që evropianët do duhet ta përsërisin këtë, pasi Trump ndryshon mendje “çdo orë”. Në fund të fundit, qëllimi i presidentit aktual të SHBA-së është të arrijë një marrëveshje që është e favorshme për të.
Evropa do të japë kontributin e saj për paqen
Megjithatë, gatishmëria e SHBA-së për të marrë pjesë në të ashtuquajturat garanci sigurie për Ukrainën konsiderohet përparimi i ditëve të fundit.
Flitet për premtime mbrojtjeje të ngjashme me ato në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, ku shkruhet mbi detyrimin për të ofruar ndihmë nëse sulmohet një nga aleatët.
Në Uashington, delegacioni evropian kërkoi të theksonte gatishmërinë e tij për të dhënë kontributin e vet.
Për shembull, Presidenti francez Emmanuel Macron iu drejtua Presidentit të SHBA-së: “Mund të jeni të sigurt se Evropa është shumë e vetëdijshme për të dhënë kontributin e saj të drejtë në këto garanci sigurie për Ukrainën – në fund të fundit, siguria e saj është qartësisht në rrezik”.
I ashtuquajturi “koalicion i të vullnetshmëve”, së bashku me forcimin e ushtrisë ukrainase, ka të ngjarë të jetë një element qendror i garancive të sigurisë në të ardhmen.
Cili është “Koalicioni i të Vullnetshmëve”?
“Koalicioni i të Vullnetshmëve”, u krijua disa muaj më parë nga Franca dhe Britania e Madhe. Tani thuhet se ka rreth 30 anëtarë.
Sipas Presidentit të Këshillit të BE-së, Antonio Costa, përveç vendeve evropiane, në një konferencë telefonike të këtij grupi morën pjesë edhe Kanadaja, Turqia, Japonia dhe Zelanda e Re.
Pas përfundimit të luftimeve në Ukrainë, do të vendosen “trupa sigurie”, që kanë për qëllim të ndihmojnë në rindërtimin e forcave tokësore ukrainase dhe të sigurojnë hapësirën detare dhe ajrore të Ukrainës, njoftoi bashkëkryetari Keir Starmer në korrik.
Eksperti Ebert e sheh “koalicionin e të vullnetshmëve” si një “sinjal politik ndaj Uashingtonit” se Evropa është e gatshme të marrë më shumë përgjegjësi dhe të kundërshtojë narrativën amerikane se evropianët po mbahen në kurriz të SHBA-së.
Ish-ambasadori Anthony Gardner, pohon se nga evropianët “po vijnë veprat pas fjalëve tanimë”. Kjo është e rëndësishme, por gjithashtu kërkoi shumë kohë.
Sjellja e Evropës ndoshta nuk është pa interes. Eksperti i sigurisë Ebert thotë se motivi tjetër i evropianëve është gjithashtu t’i mbajnë amerikanët në anën e tyre.
Pa SHBA nuk ka zgjidhje
Një gjë është e qartë: Pa amerikanët, garancitë e sigurisë të lartpërmendura do të jenë të vështira të realizohen, nëse jo të pamundura. Analisti politik Ebert i tha DW se evropianët janë të varur nga SHBA-të si për mbrojtjen ajrore dhe raketore, edhe misionin e zbulimit dhe transportin strategjik ajror. Pra ata kanë nevojë për amerikanët si siguri.
Evropa nuk është në gjendje të mobilizojë një forcë mjaftueshëm të madhe për të mbrojtur në mënyrë efektive një armëpushim të mundshëm. Prandaj, duhet të jetë e qartë, se SHBA-të do të ndërhyjnë nëse ndodh diçka, thekson Ebert.
Aktualisht, po punohet për të formuluar garancitë e sigurisë. Sipas burimeve britanike, një takim midis SHBA-së dhe përfaqësuesve të “Koalicionit të të Vullnetshmëve” është planifikuar të zhvillohet në ditët në vijim.
Trump pret trupa tokësore evropiane
Një çështje e ndjeshme këtu janë “trupat në terren”, pra a duhet të ketë trupa tokësore evropiane në Ukrainë.
Ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer, ka deklaruar qëllimin e tij për të dërguar trupa në Ukrainë, qeveria gjermane ende nuk ka marrë një qëndrim përfundimtar për këtë çështje. Rusia kundërshton vendosjen e trupave të NATO-s në Ukrainë.
Ish-ambasadori amerikan Gardner kritikoi faktin se, ndonëse është folur shumë për këtë çështje duket sikur do të bëhet fjalë në fund për shumë më pak.
Edhe pas shumë muajsh, është ende e paqartë se për çfarë është e gatshme të kontribuojë Evropa.
Duke e varur tek njëri-tjetri gatishmërinë e tyre për të vepruar evropianët dhe amerikanët po e zhvendosin përgjegjësinë sa andej këtej.
Në një intervistë me televizionin amerikan Fox News, Donald Trump i bëri të qarta pritjet e tij nga Evropa: Ai pret që Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe të dërgojnë trupa tokësore. SHBA-të janë të përgatitura të ofrojnë mbështetje, për shembull, nga ajri. Çështja e trupave tokësore mund të jetë, pra, testi i radhës për marrëdhëniet transatlantike./DW