“Humbëm një djalë të mrekullueshëm, plot ëndrra”/ Mesazhi prekës i shkollës ku studionte 14-vjeçari: Banka ku uleshe do të mbetet bosh, por kujtimet tona do të jenë gjithmonë plot

Dhimbje e thellë në shkollën ku studionte 14-vjeçari Eraldo Xhejo, i cili humbi jetën dje pas një goditjeje me thikë nga bashkëmoshatari Enedio Guri.

Në një postim prekës në rrjete sociale, Shkolla e mesme e bashkuar “Tafil Rexhepi” Pirg ka shprehur ngushëllime për vdekjen e tij.

“Lamtumirë, ylli ynë i ndritur Erald! Sot zemrat tona janë më të rënda se kurrë. Humbëm jo thjesht një nxënës, por një djalë të mrekullueshëm, plot ëndrra, buzëqeshje dhe mirësjellje. Ti ishe shembull i përkushtimit, i dashurisë për dijen dhe i shpirtit të pastër. Shkolla nuk do të jetë më e njëjta pa ty,” shkruan shkolla.

Në mesazhin prekës, thuhet se banka ku ai ulej do të mbetet bosh, por kujtimet do të mbajnë gjithmonë dritën që ai u fali të gjithëve.

“Ti nuk u largove, por u bëre engjëlli më i bukur i Parajsës! Ngushëllime familjarëve! Jemi bashkë me ju në këtë dhimbje të madhe,” përfundon reagimi i shkollës.


Shtuar 15.08.2025 17:13