Udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit nënshkruan të premten në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA.
Kjo marrëveshje do të kishte qenë e paimagjinueshme para pak kohësh. Për tri dekada, konflikti ka përcaktuar Kaukazin e Jugut.
Ai është ndërmjetësuar dhe manipuluar nga diplomatët rusë, është patrulluar nga paqeruajtësit rusë dhe është formësuar sipas interesave ruse. Tani, Uashingtoni po shkruan fundin e një kapitulli të trishtë në histori.
Kryeministri armen Nikol Pashinyan dhe presidenti azer Ilham Aliyev i kanë dhënë fund një armiqësie që ka përndjekur Kaukazin e Jugut që nga fillimi i viteve 1990.
Nga betejat e përgjakshme të fillimit të viteve 1990, te fitorja e Azerbajxhanit në vitin 2020, deri tek ofensiva rrufe e vitit 2023 që e boshatisi Nagorno-Karabakun nga popullsia armene, ky konflikt ka përndjekur breza të tërë.
Megjithatë, kjo marrëveshje përfaqëson më shumë sesa një zgjidhje dypalëshe mes Armenisë dhe Azerbajxhanit; ajo shënon një riorientim themelor të gjeopolitikës së Kaukazit të Jugut.
Në qendër të saj është një korridor 43.5 km i gjatë përmes territorit armen që lidh Azerbajxhanin me enklavën e tij të Nakhçivanit në kufi me Turqinë.
Ky territor do të zhvillohet nga SHBA dhe do të quhet “Rruga Trump për Paqe dhe Mirëqenie Ndërkombëtare” (TRIPP).
I njohur gjithashtu si korridori i Zangezurit, zona shtrihet përgjatë kufirit verior të Iranit.
I ndërthurur me fushatën e re të presionit të presidentit Donald Trump ndaj Teheranit, kjo marrëveshje vendos ndikim të ri amerikan në pragun e derës së Iranit, duke ofruar një levë strategjike në një rajon ku ndikimi iranian ka qenë tradicionalisht i fortë.
Prej dekadash, Bakuja ka kërkuar qasje në Nakhçivan; Jerevani ka refuzuar, nga frika e humbjes së sovranitetit dhe e ndërprerjes së lidhjes me Iranin.
Zgjidhja amerikane, sipas raportimeve, ia delegon një entiteti amerikan kontrollin kufitar dhe doganor të Armenisë, duke i dhënë Azerbajxhanit rrugën e tij, duke ruajtur kontrollin e Armenisë dhe duke siguruar një rol të përhershëm amerikan në terren.
Suksesi i këtij ndërmjetësimi sinjalizon një ringjallje më të gjerë të ndikimit amerikan në rajon.
Fakti që Trump ia doli aty ku dështuan ndërmjetësues të tjerë ndërkombëtarë tregon se fuqia amerikane mbetet e pakrahasueshme kur Uashingtoni vendos të angazhohet në mënyrë vendimtare.
Kjo gjithashtu e nxjerr Rusinë jashtë loje në një rajon që ajo ka tentuar ta kontrollojë për mbi dy shekuj. Armenia ka qenë dikur aleati më besnik i Moskës në Kaukaz.
Me kalimin e viteve, në dëm të Jerevanit, kjo marrëdhënie u shndërrua në varësi: Rusia kontrollonte kufijtë e Armenisë, mbante një bazë ushtarake në vend, furnizonte shumicën e energjisë dhe pretendonte të ishte garantuesi i sigurisë së saj.
Por kur Azerbajxhani sulmoi në vitin 2023, Rusia nuk bëri asgjë. Këtë tradhti, Jerevani e mbajti vath në vesh.
Qeveria e kryeministrit Pashinyan prej atëherë ka ftohur marrëdhëniet me Moskën, ka flirtuar me Teheranin për t’u ekuilibruar kundër Turqisë dhe Azerbajxhanit, ndërsa ka kërkuar partnerë perëndimorë.
SHBA për vite me radhë është përmbajtur nga një rol më qendror.
Kjo marrëveshje hap gjithashtu derën për normalizimin e marrëdhënieve Armeni–Turqi. Ankaraja e mbylli kufirin me Armeninë gjatë luftës së parë të Karabakut dhe e ka mbajtur të mbyllur që atëherë, duke e kushtëzuar rihapjen me paqen me Azerbajxhanin.
Tani Jerevani ka një mundësi reale për t’i dhënë fund tri dekadave të izolimit ekonomik dhe diplomatik nga fqinja e saj më e madhe në perëndim, duke hapur lidhjet me Perëndimin.
Marrëveshja riformëson gjithashtu Rrugën moderne të Mëndafshit. Deri tani, rruga kryesore lindje-perëndim nëpër Kaukazin e Jugut kalonte përmes korridorit Baku–Tbilisi–Ceyhan.
Lidhja e re krijon një arterie shtesë tranziti, duke zgjeruar mundësitë e transportit dhe duke hapur perspektiva të reja ekonomike.
Për Armeninë, kjo ofron një rol në rrjetet tregtare rajonale nga të cilat ka qenë prej kohësh e përjashtuar; për Azerbajxhanin, forcon pozicionin e tij si nyje kryesore mes Europës dhe Azisë.
Është e rëndësishme të theksohet se ky hap u bë i mundur pjesërisht sepse Rusia është e zënë me Ukrainën.
Me ukrainasit që e mbajnë Rusinë të përqendruar në luftën atje, Moska nuk pati kapacitet të mbronte Armeninë apo të bllokonte ndërmjetësimin amerikan, duke krijuar hapësirë që Uashingtoni të mbyllte një marrëveshje që do të ishte shumë më e vështirë me një Kremlin jo në kohë lufte.
Hapi i Uashingtonit do të lexohet përtej Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Në Tbilisi, Gjeorgji, ku qeveria ka thelluar marrëdhëniet me Moskën dhe ka shtypur disidencën e brendshme, mesazhi është i qartë: fuqia amerikane është kthyer.
Përshtatja kundër prirjeve pro-perëndimore të popullsisë dhe drejt Kremlinit mund të jetë një rrezik politik kur Uashingtoni vendos të angazhohet.
Sfida të ardhshme nuk do të mungojnë. Armenia duhet të ndryshojë kushtetutën për të hequr referencat për Nagorno-Karabakun.
Ky proces është politikisht i ndjeshëm dhe i prekshëm nga ndërhyrja ruse, sidomos duke marrë parasysh përpjekjet e Kremlinit për të minuar udhëheqjen armene nga brenda.
Besimi mes Jerevanit dhe Bakusë mbetet i brishtë. Dhe Kaukazi është një vend ku marrëveshjet e paqes kanë prirje të bien nën peshën e historisë.
Megjithatë, rëndësia e këtij momenti nuk duhet nënvlerësuar.
SHBA nuk po ndërmjetëson vetëm paqen. Ajo po e hedh rrënjë në infrastrukturën e rajonit, në arkitekturën e sigurisë dhe në të ardhmen e tij.
Rusia është jashtë, Irani përballet me një realitet të ri në kufirin e tij, dhe ekuilibri i fuqisë është zhvendosur, larg Moskës dhe në përfitim të Amerikës.