Kasaforta plot euro/ Gentian Sula i “Intersig” gënjeu dy herë për Ajola Xoxën, SPAK e “mirëkuptoi”

“Unë nuk kam thënë të vërtetën, por kërkoj mirëkuptimin Tuaj, sepse kam qenë i turbulluar”. Në këtë mënyrë u justifikua sipërmarrësi Gentian Sula, administrator dhe ortak i kompanisë së sigurimeve, “Intersig-Viena Insurance Group” dhe i disa shoqërive të tjera, para prokurorëve që po hetojnë prej një viti “çiftin e parë të Tiranës’, kryebashkiakun e arrestuar Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Në dokumentat e Prokurorisë së Posaçme rezulton se Gent Sula ka mashtruar dy herë grupin hetimor, jo thjesht me verbalisht, por edhe me dokumenta zyrtarë. Ky “mashtrim”, sipas SPAK-ut, ishte tentativë për të mbuluar rreth 115 mijë euro, të cilat iu gjetën Ajola Xoxës në një kasafortë dhe nuk mbuloheshin me burime të ligjshme financiare.

Kasaforta plot me euro

Në 6 Dhjetor 2024, oficerët e Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, zhvilluan një kontroll në ambjentet ndihmëse të zyrës “Partner’s Law” të Ajola Xoxës, në ndërtesën “Sky Tower”, në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë.

Gjatë kontrollit u zbulua një kasafortë, brenda së cilës gjendej një shumë e konsiderueshme parash. Nga verifikimi, rezultoi se në total ishin 115 mijë euro, të ndara në monedha: 95.350 euro, 14.900 dollarë dhe 665.000 lekë.

 


Në foto: Raporti i SPAK mbi shumën e gjetur në kasafortën e Ajola Xoxës

Në lidhje me këtë shumë, Ajola Xoxa, ka paraqitur para grupit hetimor një kontratë private (të panoterizuar) me Gentian Sulën, administratorin e “Intersig”, me shënimin “kapar”, me vlerë totale 220.000 euro, e cila pretendohet se ishte hartuar në 4 dhjetor 2024, pra vetëm dy ditë para kontrollit.

Kontrata “e panoterizuar” duket se kishte objekt shitjen në të ardhmen të një apartamenti në pronësi të Ajola Xoxas në rrugën “Brigada VIII”, po në zonën e ish-Bllokut.

Në bazë të asaj kontrate, shtetasi Gent Sula, kishte dorëzuar në datën e nënshkrimit të saj shumën prej 110.000 euro, si kapar garancie, vlerë e cila u gjet në kasafortë.

Mashtrimi i parë i Gent Sulës

Gent Sula, ka një njohje të vjetër me Ajola Xoxan, e cila, siç pranon vetë ai, daton prej vitit 2010. Në bazë të këtij raporti njohjeje, Sula ka deklaruar para grupit hetimor se i ka dhënë në huapërdorje, pa kontratë dhe pa shpërblim subjektit “Nan Gallery” të Ajola Xoxës një vilë, në zemër të ish-Bllokut. Për këtë raport “pa pagesë”, Prokuroria e Posaçme ka ngritur dyshime se është fiktive.

Në 4 dhjetor Ajola Xoxa dhe Gentian Sula i “Intersig”, kanë nënshkruar një “kontratë kapari” jashtë zyrës noteriale, për blerje apartamenti. Sipas asaj “kontrate”, Sula ka dorëzuar 110 mijë euro cash në zyrën e Xoxas.

Kjo “kontratë”, siç do të rezultojë më vonë gjatë hetimeve të SPAK-ut, ishte tërësisht fiktive dhe, siç deklaron Prokuroria e Posaçme, është një manovër për të justifikuar shumën e pambuluar me të ardhura të ligjshme financiare nga ana e bashkëshortes së kryebashkiakut, Erion Veliaj.

Kjo “kontratë”, e cila mban firmën e Gent Sulës, është “mashtrimi” i tij i parë për Prokurorinë e Posaçme.

Mashtrimi i dytë i Gent Sulës

Në 9 janar 2025, grupi hetimor, ka pyetur fillimisht sipërmarrësin Gentian Sula, lidhur me shumën 115 mijë euro, të gjetur në kasafortën e Ajola Xoxas.

“Në lidhje me shumën 115 mijë euro, të gjendur në ambjentet e ‘Partner’s Laë’, shtetasi Gentian Sula deklaron se ajo vlerë i është dhënë si kapar shtetases Ajola Xoxa. Ai sqaron se kartmonedhat kanë qenë kryesisht euro, por edhe dollarë dhe lekë. Shumat i ka tërhequr në kohë të ndryshme nga llogaritë bankare dhe i ka mbajtur në shtëpi”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.

 

Në foto: Gentian Sula, administrator dhe ortak i “Intersig-Viena Insurance Group”

Gentian Sula i “Intersig”, ka deklaruar se shumën prej 115 mijë euro e ka dorëzuar në 4 dhjetor 2024 në zyrën e Ajola Xoxës dhe në atë moment nuk ka pasur persona të tjerë.

Ai deklaron gjithashtu se, këtë “kontratë kapari” kishte pasur ndërmend që ta formalizonte me akt noterial, por nuk kishte pasur kohë ta formalizonte, për shkak të një udhëtimi jashtë Shqipërisë.

Ky deklarim, siç do të rezultonte më vonë, ishte një “mashtrim”.

“Pendimi” i Gent Sulës: Më mirëkuptoni

Prokuroria e Posaçme, ka krijuar bindjen se “kontrata e kaparit” ndërmjet Ajola Xoxas dhe Gentian Sulës është tërësisht fiktive. Sipas SPAK-ut, ka shumë elementë dyshues në këtë raport mes të dyve.

Kontrata e nënshkruar është e panoterizuar dhe është firmosur vetëm 2 ditë para kontrollit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ndërkohë, pagesat, megjithëse në një shumë të lartë, është kryer në cash dhe jo me transaksion banker, siç është praktika normale mbi këto marrëdhënie.

 


Në foto: Gentian Sula i “Intersig” pranoi fillimisht “kontratën e kaparit” me Ajola Xoxën

Mbi bazën e këtyre dyshimeve, Prokuroria e Posaçme ka ri-pyetur shtetasin Gentian Sula, në 5 qershor 2025. Ishte koha kur Erion Veliaj ishte arrestuar dhe, në publik, kishin dalë shumë detaje mbi veprimtarinë e dyshuar korruptive dhe “pastrimi parash” të Ajola Xoxas.

Këto zhvillime duket se kanë bërë që Gentian Sula i “Intersig”, të “reflektojë” dhe ndryshoi tërësisht thëniet e tij të mëparshme përballë grupit hetimor.

Kur u thirr për herë të dytë, Gentian Sula pranoi se “nuk është e vërtetë që kam porositur apartament apo ka paguar cash shumën që u sekuestrua në kasafortën e Ajola Xoxas në dhjetor 2024”.

Ai deklaroi se nënshkrimin e “kontratës së kaparit” ia kishte kërkuar si favor Ajola Xoxa dhe nuk e dinte se ai dokument do të paraqitej prej saj në Gjykatën e Posaçme.

 

Në foto: Gentian Sula i “Intersig” pendohet para SPAK dhe ndryshon deklarimet e para

 

Në lidhje me vendin dhe momentin e nënshkrimit të “kontratës së kaparit”, ai kujton se ka qenë jashtë Shqipërisë dhe është kthyer në 6 dhjetor, pikërisht në ditën kur BKH-ja kreu kontroll në zyrën e Ajola Xoxas.

Sipas Gent Sulës, ai është kontaktuar nga Xoxa dhe ka shkuar në zyrën e saj. E kishte parë të tronditur dhe ajo i kishte kërkuar si nder që të nënshkruanin një kontratë kapari.

Pasi ka dhënë detajet, të cilat ishin tërësisht të ndryshme nga deklarimi i tij i parë në Prokurori, dhënë në janar 2025, Gentian Sula i “Intersig” ka kërkuar “mirëkuptimin e Prokurorisë për sjelljen e tij”.

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme, nuk rezulton asnjë e dhënë që ai të ketë marrë statusin e “bashkëpunëtorit të drejtësisë”. Kjo do të thotë që, përsa kohë sipërmarrësi Gentian Sula i kompanisë së sigurimeve, nuk është marrë i pandehur, atëherë kuptohet se ai ka gjetur “mirëkuptimin” e SPAK-ut, pavarësisht se, me vetëdije ka kryer dy lëvizje mashtruese për hetimin./ Nga Boldnews.al