I përfshirë në trasportimin ilegal të emigrantëve, arrestohet 22-vjeçari shqiptar në Britani

Një 22-vjeçar shqiptar, është arrestuar si pjesë e një hetimi të Agjencisë Kombëtare të Krimit mbi krimin e organizuar të emigracionit në Britani.

Mediat britanike, raportojnë se shqiptari u nxor nga një qendër ndalimi për emigracionin pranë Aeroportit Gatwick dhe u intervistua nga oficerët e NCA-së me dyshimin për ndihmë në emigracionin e paligjshëm.

Ai dyshohet se është i përfshirë në lehtësimin e transferimit të emigrantëve nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar, nëpërmjet anijeve të vogla dhe mjeteve të rënda.

“Ky arrestim është bërë si pjesë e një hetimi të vazhdueshëm mbi udhëtimet shumë të rrezikshme të kontrabandës së njerëzve duke përdorur anije të vogla dhe mjete të rënda nëpër Kanal. NCA nuk do të lërë gur pa lëvizur – në çdo hap të rrugës së kontrabandës së njerëzve – në punën tonë për të trajtuar autorët e krimit të organizuar të imigracionit”, tha Komandantja e Degës së NCA-së, Sara-Jayne Moore.


Shtuar 8.08.2025 09:26