Vijon pastrimi i territorit në Delvinë pas zjarreve, groposen bagëtitë e djegura në fshatin Kopaçez

Aksioni për pastrimin e territorit nga bagëtitë e djegura si pasojë e zjarrit të rënë disa ditë më parë vijon në Bashkinë e Delvinës.

Në ditën e dytë të ndërhyrjes, grupi i përbërë nga punonjës të Drejtorisë së Shëndetit Publik (DSHP) dhe Drejtorisë së Veterinarisë ka qenë i angazhuar në fshatin Kopaçez, Njësia Administrative Vergo.

Ky fshat rezulton të jetë një nga zonat më të prekura nga zjarret, me dëme të konsiderueshme në gjënë e gjallë. Deri më tani janë evidentuar 16 krerë bagëti të djegura, nga të cilat 9 dhi dhe 7 dele. Trupat e bagëtive janë gjetur gjatë kontrolleve nëpër baçet e fshatit, aty ku ka kaluar flaka.

Autoritetet dyshojnë se mund të ketë edhe raste të tjera të ngjashme jashtë fshatit, veçanërisht në zonat malore ku zjarri është përhapur me intensitet.

Të gjitha kafshët e djegura janë grumbulluar dhe janë groposur sipas procedurave përkatëse. Pas groposjes, janë dezinfektuar edhe vendet ku u gjetën trupat, në përputhje me protokollet veterinare me qëllim parandalimin e përhapjes së ndonjë sëmundjeje të mundshme.

Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për bashkëpunim nga banorët për të raportuar raste të tjera të ngjashme, si dhe për të shmangur qasjen në zonat e djegura deri në përfundim të pastrimit dhe dezinfektimit.


Shtuar 30.07.2025 22:29

Tags: ,