Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mblidhur sërish sot në një tjetër përpjekje për ta konstituar legjislaturën e re. Seanca nisi në orën 14:00 por pas disa minutash u ndërpre për të vijuar sonte rreth orës 22:00. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ndërpreu seancën dhe njoftoi orarin se kur do të rikthehen në seancë.
Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 52 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.
Dje diplomatët perëndimorë ishin të pranishëm në seancë por dolën të zhgënjyer dhe paralajmëruan politikanët se vendit po futet në një territor të panjohur. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se Kosova ka nevojë për një qeveri të re që e përshpejton rrugën e saj drejt BE-së.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara. Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme. Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit po afron dita-ditës.
Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh nëse partitë nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesit e partive politike ditë më parë, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje, por situata nuk ka ndryshuar. Ajo që është ende e paqartë është se çfarë do të ndodhë nesë edhe tentativa e sotme, e fundit nuk sjell asnjë rezultat.