Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani shkon në Kushtetuese: Po pengohet puna! Zgjidh konfliktin e kompetencave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke i kërkuar që të shqyrtojë konfliktim e kompetencave që janë krijuar si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Mosdakordësia e deputetëve ka bërë që 50 seanca plenare të ‘djegin’ konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Presidentja Osmani i ka kërkuar Kushtetueses që të zgjidhë këtë konflikt në një kohë kur Parlamenti është jofunksional.

Presidentja e Kosovës u shpreh se nuk duket asnjë kompromis mes partive politike që mund t’i japë zgjidhje ngërçit për konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve siç kishte urdhëruar Kushtetuesja.

“Sot, në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese, për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të vendit kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës. E paraqita këtë kërkesë pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë”, tha Presidentja Osmani.


Shtuar 22.07.2025 17:05