Gjarpri pickon 26-vjeçaren në Përmet, spitalet e të gjithë qarkut nuk kanë kundërhelm

Dy ditë më parë, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Përmet, ku një e re ka shpëtuar për mrekulli nga amputimi i këmbës, pas një pickimi helmues nga gjarpri. L. A., 26-vjeçe, ishte duke qëndruar në një zonë periferike të qytetit kur u pickua nga gjarpri, një ngjarje që e dërgoi menjëherë në Spitalin e Përmetit për ndihmë të shpejtë.

Por ajo që ka shqetësuar shumë është mungesa totale e antidotit të nevojshëm, për të trajtuar helmimin nga gjarpri.

Mjekët në Spitalin e Përmetit nuk mundën të ofronin një zgjidhje për vajzën, duke e detyruar atë të transferohej urgjentisht në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës.

Edhe atje, nuk u gjet antidoti i kërkuar për të shpëtuar këmbën e të resë.

Një mundësi e tretë iu dha pas një udhëtimi të shpejtë në Tiranë, në Spitalin e Traumës, ku për fat të mirë, 26-vjeçares iu injektua antidoti që shpëtoi jo vetëm jetën, por edhe këmbën e saj.

Sipas familjarëve, mjekët në Tiranë, i kanë shpjeguar se helmi kishte depërtuar deri në rrezen e kofshës dhe çdo minutë vonese mund të kishte çuar në amputimin e këmbës.

“Nëse do të kishte vonuar edhe pak, këmba do të ishte prerë”, kanë pohuar ata.

Ky incident, ka nxjerrë në pah një problem serioz në sistemin shëndetësor të qarkut të Gjirokastrës, ku mungojnë antidotet jetike për trajtimin e helmimeve të tilla.

Qarku me një popullsi prej 134 mijë banorësh, po përballet me një krizë shëndetësore të pashembullt, sidomos gjatë sezonit turistik, kur rreziku i pickimeve të gjarpërinjve është më i madh për shkak të temperaturave të larta.

Mungesa e kundërhelmit në spitalet e rajonit është një skandal që rrezikon jetët e qytetarëve, ku ka shkaktuar shqetësim të madh mes banorëve dhe specialistëve të shëndetësisë.


Shtuar 12.07.2025 15:00