Prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli, i është drejtuar me një shpresë Këshillit të Lartë të Prokurorisë duke i shprehur shqetësimin e saj mbi situatën e krijuar përgjatë ditëve të fundit, ku vetë kreu i qeverisë Edi Rama e ka akuzuar lidhur me mos fillimin e hetimeve për ndërtimet pa leje në Theth.
Burime për mediat bëjnë me dije se prokuroria Gjeli ka kërkuar reagimin e menjëhershëm të KLP-së, teksa këta të fundit mësohet se e e kanë futur kërkesën e saj në rendin e ditës, por nuk dihet ende nëse do të ketë ndonjë vendimmarrje.
Kujtojmë se një ditë më parë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja iu drejtua me një shkresë ILD-së për nisjen e eurisë disiplinore ndaj prokurores Gjeli, për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimeve pa leje në Theth.
Në krye të shkresës së ministrit të Drejtësisë, të cilën ia drejtoi ILD dhe kreut Artur Metani, kërkohej “nisja e procedimit disiplinor ndaj prokurores së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, znj. Elsa Gjeli.
Manja ka shpjeguar në një material prej tetë faqesh rrethanat e materialit, duke nisur nga kontrolli i IMT i Bashkisë Shkodër më 29 Prill, kallëzimi në Prokurori, referimi i materialeve në organin e akuzës, pezullimi i punimeve më 30 prill për vendosjen e kabinave, vendimi për prishjen dhe gjobën e subjektit më 8 Maj.
“Me vendimin e datës 30.05.2025 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër është vendosur mosfillimi i procedimit penal për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” të parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal, për materialin hetimor të dërguar në këtë prokurori nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër”.
Kallëzimi përfundimtar është bërë më 28 maj, për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”, ndaj subjektit të të kërkuarit Prek Kodra, ky objekt hetimi i SPAK për dosjen “Metamorfoza”.
“Prokurorja Elsa Gjeli, me vendim të datës 30.05.2025, vendosi mosfillimin e procedimit penal, brenda 48 orëve nga regjistrimi i kallëzimit penal, pa kryer veprime hetimore ose verifikime në terren”, nënvizon Manja, duke e kundërshtuar këtë vendim si në shkelje të ligjit.
Kryeministri Edi Rama ka nisur një aksion prej disa ditësh për pastrimin e hapësirave publike. Në Theth policia dhe IKMT kanë nisur shembjen e objekteve pa leje. Ky aksion ka sjellë gjithashtu pakënaqësi dhe shqetësime të shumta nga banorët e Thethit që kundërshtojnë prishjen e ndërtesave të tyre.