Afaristi dhe veprimtari shqiptar Muharrem Salihu ka denoncuar praninë e shtuar të forcave ushtarake serbe në Medvegjë, gjatë procesit të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po zhvillohen sot në Serbi.
Ai e ka cilësuar situatën si një pamje të dhimbshme dhe alarmuese për të ardhmen e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone.
Të lidhura
None found
Salihu ka treguar se votoi në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, në Tupallë, vendlindjen e tij. Sipas tij, ajo që pa në këtë ditë nuk lidhej vetëm me zhvillimin e zgjedhjeve, pasi në qendër të Medvegjës vuri re një prani të konsiderueshme të forcave ushtarake serbe. Ai gjithashtu tha se në qendrat e votimit shqiptarët ishin shumë pak të përfaqësuar në komisione, me një raport që, bazuar në vëzhgimin e tij, ishte afërsisht një me tetë në krahasim me përfaqësuesit e komuniteteve të tjera.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij është pasivizimi masiv i adresave të shqiptarëve në Medvegjë, proces që, sipas Salihut, ka penguar shumë prej tyre të ushtrojnë të drejtën e votës.
Ai ka theksuar se, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve dhe ndikimit të tij në jetën politike të Serbisë, Bashkimi Evropian dhe faktori ndërkombëtar duhet t’ia bëjnë të qartë Beogradit se Serbia u përket të gjithë qytetarëve të saj dhe jo vetëm serbëve. Sipas tij, çdo qytetar duhet të ndihet i lirë, i barabartë dhe i sigurt, pa u diskriminuar për shkak të përkatësisë etnike, veçanërisht shqiptarët, të cilët i cilëson si popull autokton në këto troje.
“Medvegja nuk është vetëm një pikë në hartë, por histori, identitet, kujtesë dhe e drejta për të jetuar i lirë në vendin tënd. Sot votuam për të dëshmuar praninë tonë, ndërsa nesër duhet të vijojmë të kërkojmë të drejtat tona me këmbëngulje, dinjitet dhe vendosmëri. Prania jonë nuk mund të fshihet përmes një vendimi administrativ dhe të drejtat tona nuk mund të zhduken përmes pasivizimit të adresave. Medvegja meriton drejtësi, ndërsa shqiptarët e saj meritojnë barazi dhe dinjitet”, ka deklaruar Salihu.





