Rëndësia e internetit në jetën e përditshme po konfirmohet nga numri gjithnjë e më i madh i qytetarëve që e përdorin atë.
Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, rreth 94 për qind e banorëve të Maqedonisë së Veriut, të moshës 15 deri në 74 vjeç, kanë përdorur internetin. Ndërkohë, afërsisht 82 për qind e tyre janë kyçur disa herë gjatë ditës.
Të lidhura
None found
Qytetarët e intervistuar nga Alsat pranojnë se përdorimi i internetit duhet të jetë i kufizuar, por theksojnë se ai tashmë është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë.
“Po, e përdor, por jo në masë të madhe. Edhe fëmijët në shtëpi e përdorin. Megjithatë, përdorimi i tepërt është i dëmshëm dhe po i shkatërron fëmijët. Ata tashmë nuk dinë të komunikojnë, sepse pjesën më të madhe të kohës e kalojnë duke parë internetin, i cili është bërë kënaqësia e tyre kryesore”, deklaroi një qytetare.
Një qytetar tha se internetin e përdor rrallë dhe se preferon aktivitetet jashtë shtëpisë. Sipas tij, të rinjtë duhet të ecin dhe të shoqërohen më shumë, pasi qëndrimi i gjatë në internet po i largon njerëzit nga njëri-tjetri.
Një tjetër qytetar u shpreh se interneti përdoret edhe në familjen e tij, por theksoi se ka mënyra më të mira për të kaluar kohën sesa qëndrimi i zgjatur në internet.
“E përdorim sipas nevojës”, tha një qytetare, e cila sqaroi se në familjen e saj nuk ka fëmijë që e përdorin internetin. E pyetur për faktin se, sipas statistikave, gati 90 për qind e qytetarëve e përdorin atë, ajo u përgjigj se gjithçka varet nga vëmendja që u kushtohet fëmijëve.
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, të cilat i referohen tremujorit të parë të këtij viti, tregojnë se interneti është i qasshëm në 91 për qind të amvisërive në nivel shtetëror. Po sipas këtyre statistikave, rreth 94 për qind e popullsisë e përdor internetin për telefonata, ndërsa afërsisht 89 për qind e shfrytëzon për shkëmbimin e mesazheve përmes aplikacioneve online./Alsat.mk






