Prej gjashtë ditësh nën “kthetrat” e flakëve, shuhet zjarri në landfillin e Elbasanit! “Zhduket” nga qyteti reja toksike

Pas gjashtë ditësh është bërë i mundur shuarja e zjarrit që vendgrumbullimin e mbeturinave në qytetin e Elbasanit. Burime për mediat bëjnë me dije se forcat zjarrfikëse fatmirësisht kanë arritur që t’i vendosin nën kontroll.

Ditën e sotme në terren ndodheshin rreth 22 forca si dhe 5 automjeteve zjarrfikëse të cilët punuan pa pushim për të marrë “në duar” situatën.

Gjashtë ditë më parë flakët përfshinë landfillin e mbetjeve ku si pasojë e djegies së mbeturinave një re toksike mbuloi qytetin. Banorët e shqetësuar u bënë apel autoriteteve që të ndërhyjnë menjëherë pasi shëndeti i tyre ishte në rrezik për shkak të ajrit të ndotur.

Madje, lidhur me këtë ngjarje mesditën e së premtes një grup qytetarësh dhe aktivistësh protestuan para Prokurorisë së Elbasanit, duke kërkuar veprim të menjëhershëm dhe hetim të thelluar mbi situatën.

Ata kërkuan transparencë si dhe vendosjen para drejtësisë të personave përgjegjës.

“Duhet të dihet e vërteta. A është ky zjarr pasojë e neglizhencës apo një akt i qëllimshëm? Prokuroria duhet të reagojë dhe të hetojë me shpejtësi. Tymi toksik po rrezikon shëndetin tonë çdo ditë, dhe është e papranueshme që ende nuk kemi një përgjigje,” u shpreh një nga qytetarët të cilët morën pjesë në protestë.


Shtuar 6.07.2025 17:04

Tags: ,