Një person është arrestuar nga Forcat Shqiponja të Tiranës dhe një armë zjarri është sekuestruar, gjatë një operacion policor që është finalizuar pak minuta më parë. Ai lëvizte me mjet dhe është bllokuar në zonën e Bllokut, te rruga “Andon Zako Çajupi”.
Siç shihet dhe nga pamjet, efektivët e repartit “Shqiponja” i janë vënë pas mjetit luksoz Audi Q8, pasi drejtuesi nuk i është bindur urdhrit për kontroll dhe ka shkelur gazin.
Menjëherë, të gjitha shërbimet janë njoftuar për ngjarjen dhe Policia i është vënë në ndjekje Audit. Duke qarkulluar me shpejtësi të lartë në rrugët e brendshme të kryeqytetit dhe nën presion nga “Shqiponjat”, shoferi ka humbur kontrollin dhe ka përplasur disa makina.
Trotuari buzë rrugës në zonën e Bllokut, te rruga “Andon Zako Çajupi” ka qenë i mbushur me qytetarë, të cilëve u është rrezikuar seriozisht jeta, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Nga informacionet paraprake, bëhet me dije se shoferi është neutralizuar nga efektivët e Repartit të Tiranës dhe nga kontrolli në mjetin luksoz Audi Q8 që ai drejtonte, është gjetur një armë zjarri pistoletë e dyshuar pa leje.
Ajo do t’i nënshtrohet analizave laboratorike për të parë nëse është e pastër, apo është përdorur për ndonjë ngjarje kriminale.