Kryeministri Edi Rama gjatë qëndrimit në Shkup ditën e sotme u takua me shqiptarë të Maqedonisë së Veriut te Çarshia e Vjetër e Shkupit.
Rama ndau në rrjetet sociale foto nga takimet e zhvilluara te Çarshia e Vjetër e Shkupit.
Kryeministri Rama mori pjesë sot në Takimin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian kushtuar Planit të Rritjes për rajonin, që u zhvillua në Shkup, Maqedoni e Veriut, me një agjendë diskutimesh mbi bashkëpunimin ekonomik, reformat dhe integrimin drejt tregut të përbashkët rajonal.
Kryeministri Edi Rama dhe liderë të tjerë të rajonit u mirëpritën sot nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në nisje të punimeve të takimit kryesor me temë “Stabilitet, Unitet, e Ardhme”, ku kryeministri Mickoski dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos iu drejtuan pjesëmarrësve me një fjalë.
Fokusi kryesor i bisedimeve ishte vlerësimi i Planit të Rritjes, propozimet për iniciativa të reja dhe bashkëpunimin ekonomik përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, të konceptuara në dy panele diskutimi.
Paneli i parë: “Plani i Rritjes: Vlerësimi, hapat e ardhshëm dhe komunikimi”, ku u bë vlerësimi i Planit të Rritjes në të gjitha shtyllat e tij, si dhe diskutohet mbi iniciativat e propozuara në Shtyllën 1 (Turizmi, mbrojtja e konsumatorit dhe “Autostrada” e Tregut të Përbashkët) dhe lidhjet me Tregun e Përbashkët Rajonal.
Kryeministri Edi Rama dhe liderë të tjerë do të jenë pjesë e këtij paneli diskutimi.
Ndërsa paneli i dytë: “Thellimi në Shtyllat e Planit të Rritjes” do të bëjë bashkë ministrat për Çështjet e BE-së, përfaqësues të BE-së, organizatave rajonale dhe partnerë zbatues.