Këngëtarja 20-vjeçare Herva Novaku, me votat e jurisë është shpallur fituesja e edicionit të parë të talent showt “Yjet Shqiptarë të Diasporës”.
Tre konkurrentët finalistë që zgjodhi juria pas përballjeve me njëri-tjetrin, ishin Andi Ismaili balerin, Erika Shalla balerinë dhe Herva Novaku këngëtare.
Herva ka lindur dhe jeton në Gjermani. Ajo u prezantua në fazën e parë të konkurrimit në Dortmund, ku zgjodhi të interpretojë një material operistik.
Në gjysmëfinale ajo zgjodhi të sfidojë veten dhe jurinë me këngën e Nemo – The Code, një këngë teknikish e vështirë që kalon në shumë regjistra vokali.
Në natën finale, ajo intepretoi një nga këngët më të bukura dhe më emocionale “S.O.S” remake nga Dimash.
Duket që edhe Herva ka patur suksesin dhe fatin si Dimash, pasi edhe ai ka triumfuar me këtë material muzikor që konsiderohet një simfoni 4 minutëshe.
Herva është këngëtare, aktore, si dhe ka pasion akrobacinë, kjo u duk qartë në sfidën që i bëri në skenë Ilir Shaqirit, ku edhe pse me taka të larta dhe me fustan ajo bëri sparaktën në skenë.
Një nga synimet e saj në të ardhmen, është të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.
“Yjet Shqiptarë të Diasporës”një projekt i Fondacionit Dritan Hoxha me ide të Shaqirit, i cili ishte dhe kryetari i jurisë. Autore dhe Producente Ledja Liku, në regji Redi Treni dhe në juri Vikena Kamenica, Alban Male, Ines Memisharaj. Moderimi i dy gjysmëfinaleve dhe finales iu besua Danja Kokës.