Masakra në Minnesota/ Ky është ish-drejtuesi i sigurisë, që vrau ligjvënësen dhe bashkëshortin e saj

Shtetet e Bashkuara u tronditën të shtunën nga një akt i rëndë dhune që ndodhi në Minnesota, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur pas dy atentateve të ndara.

Autori i dyshuar i sulmeve është identifikuar si Vance Luther Boelter, 57 vjeç, një ish-drejtor i patrullave të sigurisë në kompaninë “Praetorian Guard Security” dhe thuhet se kishte marrë trajnim ushtarak nga personeli i forcave amerikane. I maskuar si efektiv policie, Boelter kreu dy sulme të armatosura që kishin në shënjestër figura të njohura të politikës së Minnesota-s.

Fillimisht, ai sulmoi banesën e senatorit John Hoffman, duke plagosur rëndë atë dhe bashkëshorten e tij, Yvette. Më pas, Boelter shkoi në shtëpinë e ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Minnesota-s, Melissa Hortman, ku ekzekutoi atë dhe bashkëshortin e saj, Mark.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje mbarëkombëtare dhe ka nxitur një reagim të menjëhershëm nga Presidenti Donald Trump. Përmes një deklarate të shpërndarë nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, Trump e cilësoi sulmin si një akt të tmerrshëm dhe të papranueshëm.

 

“Një dhunë kaq e tmerrshme nuk do të tolerohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, dhe FBI-ja po hetojnë ngjarjen dhe do të ndjekin penalisht autorin me gjithë ashpërsinë që lejon ligji. Zoti i bekoftë njerëzit e Minnesotës”, tha Trump në reagimin e tij.

Hetimet vazhdojnë, ndërkohë që autoritetet po përpiqen të kuptojnë motivet pas këtij akti tragjik që ka lënë gjurmë të thella në opinionin publik amerikan.


Shtuar 14.06.2025 23:29

Tags: ,