Dinamo përjashton mundësinë që Enea Jorgji ta gjykojë sërish, pas tre kartonëve të kuq në derbi

Drejtori sportiv i Dinamos, Luan Pinari, foli për derbin e kryeqytetit gjatë një lidhjeje në edicionin e lajmeve të “RTSH Sport”. Sfida, e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës në javën e 9-të, përfundoi në barazim 1 – 1 ndaj Tiranës.

Pinari bëri të ditur se klubi ka marrë një vendim për arbitrin Enea Jorgji, i cili gjatë ndeshjes ndëshkoi me karton të kuq lojtarin Rifa, trajnerin Daja dhe përgatitësin atletik Dodaj. Dinamo nuk dëshiron që Jorgji të gjykojë më ndeshjet e saj.

Të lidhura

None found

“Ne synonim të merrnim pikët e plota, por, duke parë si rrodhën ngjarjet, barazimi ishte një rezultat i kënaqshëm. Pavarësisht kësaj, me skuadrën që kemi, kërkojmë gjithmonë fitoren, pra 3 pikët në çdo ndeshje.

Sa i takon vendimeve të arbitrit Enea Jorgji, si klub kemi vendosur me gjakftohtësi se ai nuk është më i mirëpritur për të gjykuar ndeshjet tona.

Jemi në periudhën e VAR-it, por pamjet nuk na lënë gjë për të shtuar. Për këtë sezon kemi synuar gjithnjë objektivat më të lartë dhe nuk kam arsye ta fsheh këtë.

Kemi investuar me synimin për të fituar titullin. Duhet të them se disa episode nuk kanë qenë në favorin tonë. Në fazën e parë nuk ka pasur asnjë rast në favorin tonë”, u shpreh Pinari.