Arrestohet në Kosovë personi i kërkuar nga INTERPOL-i për vjedhje

Njësitet e Policisë së Kosovës kanë vënë në pranga një person që kërkohej ndërkombëtarisht nga autoritetet e Luksemburgut, nën dyshimin se ishte i përfshirë në një rast vjedhjeje.

Sipas raportimeve të mediave, bëhet fjalë për Dukagjin Ademajn, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest nga autoritetet luksemburgase dhe emri i tij ishte shpallur në kërkim përmes INTERPOL-it.

Të lidhura

None found

Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua sot rreth orës 16:30 nga njësitet e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkërendim me strukturat e tjera policore dhe institucionet përkatëse.

Ademaj kërkohej për veprën penale “Vjedhje”, e cila parashihet dhe dënohet sipas Kodit Penal të Luksemburgut.

Pas arrestimit, me vendim të prokurorit kujdestar, ai është ndaluar për 48 orë. Në vijim do të ndërmerren edhe veprimet e tjera ligjore ndaj tij.

Policia e Kosovës ka njoftuar se do të vijojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, përfshirë shkëmbimin e informacionit, me qëllim parandalimin dhe hetimin e veprimtarisë kriminale, si dhe gjetjen dhe arrestimin e personave në kërkim.


Shtuar më 30.10.2026 18:45