Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, vendosi në mbledhjen e sotme hapjen e 229 kutive të materialeve zgjedhore në qarkun e Vlorës.
Vendimi u mor pas verifikimit të 4 kutive të materialeve të qarkut Vlorë. 4 kutitë e votimit u hapën u hapën pas pretendimit të PD se mungojnë në gjithë vendin 130 mijë fletë votimi të papërdorura.
Por fletët e votimit të papërdorura ishin ruajtur në kuti të posaçme nga KQZ dhe kjo rezultoi edhe pas hapjes së katër kutive në bashkitë Vlorë, Selenicë, Sarandë dhe Finiq.
Verifikimi konfirmoi edhe qëndrimin e KQZ se; nuk kemi të bëjmë me zhdukje të fletëve të votimit të papërdorura, por me një gabim njerëzor, ku komisionerët në vend se të kishin shënuar në procesverbal sa fletë votimi nuk u përdorën më 11 maj, kanë shënuar zero.
Pas përfundimit të këtij procesi, KAS tha se në 4 kutitë që u hapën u gjetën këto shifra: 584, 578, 401 dhe 659 fletë votimi të papërdorura për secilën kuti të hapur.
Pas këtij verifikimi, përfaqësuesi i PD, Franc Nuri theksoi se, pas hapjes së kutive, në një prej tyre u gjetën 7 fletë votimi më shumë, ndërsa në një tjetër mungonin dy fletë të papërdorura.
Sa i takon rastit të kutisë ku rezultuan dy fletë votimi më shumë (të papërdorura), Marash Logu i PD pretendon se, kjo është një tregues që janë futur fletë votimi nga jashtë dhe mund të ketë ndodhur fenomeni i ashtuquajtur i trenit bullgar.
Kështu, PD kërkoi hapjen e të gjitha kutive në mbarë vendin aty ky komisionerët kanë deklaruar zero fletë votimi të papërdorura.
Përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri, kërkoi hapjen e kutive të votimit që janë me probleme të paktën 43 qendra votimi me anomali në raportim që thotë zero fletë të papërdorura.
“Unë si përfaqësuesi i PD nuk e vë në dyshim këtë informacion nga KQZ. Ata thonë se janë 233 qendra votimi në rang vendi me raportim anormal, hapeni dhe t’i shohim qark pas qarku. Këtë qëndrim e pata të qartë. Nga 4 qendra votimi ku u bë ky testim, të katërta dolën me anomali, nuk doli një që të përputheshin të dhënat me numrin e votuesve, fletëve që mungojnë dhe atyre të dëmtuara. E përsëris që të hapen përsëri”, tha Nuri.
Ndërkohë, përfaqësuesi i opozitës në KAS, Ledio Braho pyeti se çfarë do të prodhonte kjo gjë për opozitën, pasi sipas KAS edhe sikur të jenë dy ose tre fletë votimi të papërdorura më shumë, nuk është një ‘provë’ e mjaftueshme që zgjedhjet të përsëriten.
Pas shumë debatesh, vetëm dy anëtarë të KAS, Ledio Braho dhe Elvis Çefa të propozuar nga PD, ngritën një grup pune, i cili do të shkojë në magazinat e KQZ-së e do të verifikojë atje nëse ndodhen ose jo fletët e votimit të papërdorura për 233 qendra votimi.
“Pyetja ime është për efekt ekonomie, nëse do të vendosim ta vazhdojmë hapjen e këtyre votimi, ju si mendoni, ta bëjmë këtu në këtë sallë apo të gjejmë opsion tjetër më të shpejtë, që të gjeni një grup dhe t’i verifikoni në vend”, iu drejtua Elvis Çefa, Nurit.
“Këqyrja të bëhet atje ku janë kutitë e materialeve zgjedhore, i njëjti proces si këtu, subjekti ankues ka të drejtë të sjellë vëzhgues, procesi do të vazhdojë nga administrata e KQZ. Në secilën nga këto kuti të dalë numri i fletëve të papërdorura”, tha Braho.
Verifikimi do të bëhet në Vaqarr, aty ku KQZ po ruan të gjitha kutitë e 11 majit.
Më 27 maj, PD ankimoi rezultatin zgjedhor në këtë qark, ku pretendonte se atje është evidentuar përdorimi sistematik i administratës publike dhe strukturave shtetërore në funksion të interesave zgjedhore të Partisë Socialiste.