Etna nis aktivitetin vullkanik, hi dhe gazra në ajër autoritetet në gadishmëri

Etna, një nga vullkanët më aktivë në botë, shpërtheu këtë mëngjes në ishullin e Sicilisë, duke lëshuar shtylla të mëdha tymi dhe hiri. Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë të Italisë (INGV) shpërthimet e para u regjistruan në orën 00:39 me orën lokale, duke treguar një aktivitet “Strombolian” me shpërthime të ndërprera që ndodhin kur gazrat në dhomën e magmës arrijnë sipërfaqen dhe shpërthejnë papritur. Ky lloj shpërthimi mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm për fluturimet ajrore.

Pamjet e shpërthimit tregojnë një rrjedhë të shpejtë të materialeve vullkanike një përzierje hiri, gazrash dhe shkëmbinjsh që po lëviz poshtë anës juglindore të malit, afër një hapësire të njohur prej 200 metrash.

Gjeologët mendojnë se mund të ketë ndodhur një shembje e pjesës së kraterit, duke çuar në lëvizjen e materialeve poshtë. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur indikacione për rrezik të menjëhershëm për zonat përreth.

Në përditësimin e fundit, INGV njoftoi se materiali vullkanik nuk ka kaluar ende përtej “Luginës së Luanit”, një pikë ku ndalen ekskursione turistike drejt majës së malit. Një paralajmërim i kuq ishte lëshuar më herët për shkak të rrezikut për fluturimet ajrore, por më pas u ul në nivelin e verdhë. Shpërthimet e Etna-s janë të zakonshme dhe zakonisht nuk shkaktojnë dëme të mëdha, por mbeten një fenomen natyror që tërheq vëmendjen e shkencëtarëve dhe turistëve.


Shtuar 2.06.2025 16:45