Liderët e BE u kthyen në “fëmijë” në nisje të Samitit/ Erdogan për videon e Ramës: Inovacion domethënës, Turqia synon të ndjekë të njëjtin shembull

Gjatë një takimi me të rinj, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka komentuar një nga momentet më të përfolura të Samitit të Tiranës: videon e realizuar me inteligjencë artificiale, ku liderët e Europës ishin ‘kthyer’ në fëmijë dhe uronin mirëseardhjen në Shqipëri në gjuhët përkatëse.

“Shqipëria bëri diçka interesante në prezantim gjate samitit. Ajo solli në ekran krerët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve pjesëmarrëse përmes një realizimi me AI. Ishte shumë interesante dhe çdo kryetar shteti ose kryeministër i atij vendi iu prezantua ajo inteligjencë artificiale”, tha ai.

Presidenti Erdogan, e cilësoi një risi domethënëse dhe shtoi se Turqia synon të ndjekë hapa të ngjashëm dhe të jetë konkurruese në zhvillimin e teknologjive të avancuara.

“Shpresojmë që të dalim me një infrastrukturë të tillë në një konkurs që do të mbahet në një të ardhme të afërt. Ne i besojmë vetes, ju besojmë juve dhe kështu, me vullnetin e Zotit, po ecim drejt së ardhmes me një infrastrukturë të fortë të inteligjencës artificiale”, u shpreh ai.

Videoja qe i referohet presidenti turk, u krijua me anë të inteligjencës artificiale dhe u shfaq gjatë ceremonisë së hapjes së samitit të BE në Teatrin e Operas dhe Baletit me 16 maj.

Të gjithë liderët europianë u shfaqen në versionin e tyre fëmijë teksa uronin në gjuhën e tyre: “Mirë se erdhët në Shqipëri” Videoja surprizë shkaktoi të qeshura në sallë dhe u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit.


Shtuar 24.05.2025 12:04