BIRN: Krimi i organizuar “orientoi” votën në Durrës

Një numër burrash fotokopje e njëri-tjetrit krijuan një lloj tuneli mes vetes përmes të cilit duhej të kalonin votuesit për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar, raporton BIRN. Një eksperiencë jo fort korrekte që nuk kaloi pa u vënë re edhe nga vëzhguesit.

Procesi i votimit në Durrës nisi i qetë në orët e para të mëngjesit në Qendrat e Votimit (QV) të vendosura në qytet, duke pësuar rritje të ndjeshme rreth mesditës dhe me prani të reduktuar të personave të paautorizuar.

Fillimisht disa qendra votimi u hapën me vonesë dhe qytetarët nisën të votojnë pas orës 7, ndërsa në disa prej Qendrave të Votimit vëzhguesit e Shoqërisë Civile raportuan se ende nuk ishin ndezur kamerat.

Në Qendrën e Votimit të vendosur në Teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës, e njohur përgjithësisht si e qetë, u regjistrua një tension midis komisionerëve dhe medias, që u shuajt pas sqarimit në detaje, pasi fillimisht ata u ndaluan të vendosnin kamerën për të filmuar brenda QV-së.

Komisionerët e forcave politike nuk kanë qenë në raport të barabartë në të gjithë territorin, pasi në KZAZ-ja numër 22 në qytetin e Durrësit numëron 50 qendra dhe procesi aty nisi me disa parregullsi. Kryetari i saj, Krenar Hasanaj, tregoi për BIRN mëngjesin e së dielës se vetëm në një QV procesi nisi me 30 minuta vonesë sepse ishin 4 nga 7 komisonerë, duke vijuar pas plotësimit të numrit të tyre.

Ndërsa mugesa e operatorit të pajisjes së identifikimit elektronik të votuesve solli vonesa për disa minuta në një QV. Në 2 qendra të tjera procesi vijoi me 6 nga 7 komisionerë.

Parregullsitë e vogla brenda qytetit kontrastonin me radhët prej disa metrash të automjeteve të parkuara jashtë QV-ve në periferi. Në Shkollën 9-vjeçare “Neim Babameto” në Spitallë, një varg njerëzish në të majtë dhe një në të djathtë, gati i hoqën frymëmarrjen qytetarëve që ngjesheshin për të kaluar midis trotuarit të ngushtë.

Djemtë si fotokopje e njëri-tjetrit, shoqëronin me sy zgjedhësit që i prisnin “djem bujarë” të tjerë brenda QV-ve, e duke i orientuar se ku të drejtoheshin për të votuar. Prania e personave të paautorizuar krijoi dendësi burrash që rrinin në korridore dhe pranë QV-ve.


Shtuar 11.05.2025 22:49