Shqipëria në alarm: Duhani po lë pasoja të rënda

Rritja e rasteve të sëmundjeve dhe fataliteteve të lidhura me pirjen e duhanit me djegie po shënon një kthesë alarmante në nivel global. Sipas të dhënave, çdo vit regjistrohen rreth 8 milionë vdekje në botë.

“Nga 8 mln vdekje që ndodhin çdo vit në rang botëror, 7,6 milionë i dedikohen vetëm pasojave të pirjes së duhanit me tym. 1,3 milionë vdekje që ndodhin në vit vetëm i dedikohet duhanpirjes pasive qëndrimi në ambient me tym duhani”, deklaroi Roland Shuperka, ekspert.
Në raport me vendet europiane, Shqipëria ka një prevalencë të lartë të konsumit të duhanit, çka reflektohet edhe në ngarkesën e sistemit shëndetësor.

“Duhanpirja është 38,8% po marr gjithë nivelet e Europës, që janë në nivele më të ulëta 22-23%. Nuk duhet bërë shaka me duhanpirjen se të gjitha janë sëmundshmëri, qytetarë që do zënë spitalet, sëmundje të mushkërive dhe kancer”, vijon eksperti.
Për të përballuar këtë situatë, ekspertët rekomandojnë një qasje të re në reduktimin e dëmit, përmes zëvendësimit të produkteve të djegshme me alternativa më të sigurta për konsumatorët.

“Ekspertët botërorë deklarojnë, kalimin nga produktet e djegshme me tym në produkte më pak të dëmshme, që janë produktet që japin vetëm nikotinë”, thotë Shuperka.
Shteti suedez është një shembull suksesi në këtë drejtim, vetëm 5.3% e popullsisë atje vazhdon të konsumojë duhan, pasi pjesa dërrmuese ka kaluar në produkte pa tym, duke ulur ndjeshëm sëmundshmërinë në vend./REFORMA


Shtuar 6.05.2025 12:39