Izmir Smajlaj zgjidhet President i Federatës Shqiptare të Atletikës, reagon Luiza Gega: U punua fort kundër meje

Izmir Smajlaj, rekordmeni kombëtar në kërcim së gjati dhe një nga figurat më të njohura të atletikës shqiptare, është zgjedhur President i ri i Federatës Shqiptare të Atletikës. Ai ishte kandidati i vetëm në Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore, pasi ish-presidenti Taulant Stërmasi u tërhoq nga gara. Smajlaj do të drejtojë Federatën për një mandat 4-vjeçar.

Përveç zgjedhjes së presidentit, u miratua edhe përbërja e re e Kryesisë së Federatës. Anëtarët e rinj janë Vaso Selenica, Emiljana Ciko, Gledis Hallunaj, Oltion Luli, Zhuje Bajko dhe Vladimir Gjonaj.

Zhvillimet e fundit kanë ngjallur reagime në komunitetin sportiv, përfshirë edhe nga kampionia Luiza Gega. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Gega tha se e kishte ndjerë që po bëheshin përpjekje për të mos u përfshirë në strukturat drejtuese të atletikës.

“Është punuar fort që të mos votohet për mua. Unë thjesht mbajta një fjalim prezantues, jo se nuk e dinë se kush jam, por që doja t’i shikoja në sy kur të vinte ky momenti. Thashë dhe dy fjalë në fund që vërtetë unë nuk meritoj të jem pjesë sepse unë i bëj gjërat me shpirt, e dua këtë sport dhe duam të ecim para,” – u shpreh Gega.


Shtuar 5.05.2025 16:45