Firma e tij qëndron në kontratën miliona dollarëshe për heqjen e non-gratës së Berishës, reagon Noka: Në përputhje me ligjet e dy shteteve

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka reaguar lidhur me kontratën miliona dollarëshe që kjo forcë politike ka lidhur me kompaninë amerikane Continental Strategy për heqjen nga lista e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Noka, firma e të cilit qëndron në këtë kontratë, ka theksuar transparencën e plotë të kësaj marrëveshje e cila sipas tij është komfort me ligjin shqiptar, por dhe atë amerikan.

Deputeti dhe një ndër njerëzit besnikë të Berishës ka theksuar më tej se kjo marrëveshje është depozituar edhe në FARA, sipas kërkesave ligjore të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Ndër të tjera, ai ka falenderuar të gjithë atdhetarët për bujarinë e tyre me qëllim “çmontimin e narkotregjimit të Edi Ramës”.

“Mesa duket kontrata e #PD me avokatin e Presidentit #Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij. Në fakt jo pa të drejtë, pasi sot denoncimet e saj për #McGonigal, përzierjen e karteleve të drogës të mbështetur nga Edi #Rama dhe narkopolicia në procesin zgjedhor, përfshirë bashkëpunimin e heshtur të organeve të drejtësisë, kanë veshin e administratës dhe Kongresit të #SHBA!

Partia Demokratike është krejtësisht transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në #FARA sipas çdo ligji amerikan dhe #shqiptar!

Partia Demokratike gjen dhe njëherë rastin të falenderojë atdhetarët e bashkësisë shqiptaro- amerikane për bujarinë dhe ndihmën e pakursyer që kanë dhënë dhe japin për çmontimin e narkoregjimit të Edi Ramës”, shkruan Noka ndër të tjera.

Kujtojmë se një ditë më parë u zbulua se Fondacioni Shqiptaro Amerikan do t’i paguajë një shifër që mund të arrijë deri në 6 milionë dollarë një kompanie amerikane, të zotëruar nga njerëz afër Presidentit Donald Trump, për të lobuar për llogari të Partisë Demokratike pranë qeverisë amerikane për t’ia hequr ish-kryeministrit Sali Berisha “non-gratën”.

Kapitali zbardhi kontratën e plotë të lobimit të firmosur nga Nuredin Seci, një shqiptaro-amerikan që jeton në New York dhe ish këshilltari i presidentit Trump, Carlo Trujillo, në cilësinë e Presidentit të Continental Strategy. Paralelisht kontrata është firmosur edhe nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në cilësinë e përfituesit, një detyrim ky i kërkuar nga ligji amerikan.

Demokratët thanë se kjo shumë do paguhet nga patriotët, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi këtë të diel nisjen e hetimeve lidhur me këtë çështje.

Përmes një njoftimi zyrtar SPAK u shpreh: “Ju informojmë si vijon: Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të subjektit politik Partia Demokratike”.

Pas kësaj deklarate të Prokurorisë së Posaçme një reagim i menjëhershëm erdhi nga blutë të cilët e konsideruan SPAK si vegël të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa vijuan më tej me akuzat duke thënë se struktura e Posaçme ka “mbyllur sytë’’ teksa kartelet e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër janë përfshirë më fort se kurrë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve.

“Mesa duket kontrata e PD me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij. Në fakt, jo pa të drejtë! Pasi sot denoncimet e saj për McGonigal, përzierjen e karteleve të drogës të mbështetur nga Edi Rama dhe narkopolicia në procesin zgjedhor, përfshirë bashkëpunimin e heshtur të organeve të drejtësisë, kanë veshin e administratës dhe Kongresit të SHBA!

Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli! Partia Demokratike gjen dhe njëherë rastin të falënderojë patriotët e komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe ndihmën e pakursyer për çmontimin e regjimit të Edi Ramës”, thuhej ndër të tjera në reagimin e demokratëve pas nisjes së hetimeve nga SPAK lidhur me lobimin që po bëhet për heqjen nga lista e zezë e amerikanëve të kryedemokratit.


Shtuar 27.04.2025 19:20